Ambasadori shqiptar në Beograd, Ilir Boçka, në kuadër të përgatitjes së vizitës së kryeministrit Edi Rama, pas dy javësh në Serbi, ka takuar ministrin e Jashtëm, Ivica Daçiç. Ata folën për agjendën mes dy vendeve si dhe bashkëpunimin me Shqipërinë në projektet e infrastrukturës.
Marrëdhëniet mes Serbisë dhe Shqipërisë "janë duke shkuar në drejtimin e duhur." Kjo është ajo që zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ivica Daçiç dhe ambasadori shqiptar në Serbi, Ilir Boçka, kanë thënë gjatë një takimi në Beograd të hënën.
Të dy zyrtarët deklaruan se kjo do të evidentohej edhe nga aktivitetet e ardhshme të dy qeverive, të cilat do të kontribuojnë në stabilitetin e përgjithshëm në rajon, citon qeveria serbe në faqen e saj në internet.
Daçiç theksoi gjatë takimit nevojën e një veprimi të përbashkët mes dy vendeve në kuadër të Procesit të Berlinit.
Kjo ka të bëjë kryesisht me zbatimin e projekteve të mëdha të infrastrukturës të tilla si, ndërtimi i autostradës Nish-Prishtinë-Durrës, fillimi i punës së Zyrës Rajonale për Bashkëpunimin e Rinisë dhe krijimin e Fondit për Ballkanin Perëndimor në Ministrinë e Punëve të Jashtme, nënvizohet në këtë deklaratë.
