Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka konfirmuar variantin britanik të koronavirusit në Kosovë.
Ai përmes një konference ka treguar se nga 30 mostrat e marra e të dërguara jashtë vendit për analizë, është detektuar varianti britanik në tri mostra.
Kosova ende nuk ka kapacitete për të detektuar variantin britanik, i cili ka shtyrë së fundi shumë shtete të marrin masa apo edhe të izolohen tërësisht.
“Ditëve të kaluara Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka dërguar 30 mostra për testim në Berlin të Gjermanisë me qëllim të hulumtimit rreth pranisë së varianteve të reja të koronavirusit në Kosovë pas shfaqjes së tij në më shumë se 70 vende të tjera të botës. Nga interesimi jonë i përgjithshëm rezultatet e këtyre analizave kanë treguar se tri mostra kanë rezultuar pozitiv me variantin britanik B117. Ky variant e dini është raportuar për herë të parë më 14 dhjetor 2020 dhe ne si Republikë e Kosovës menjëherë kemi marrë masat duke pezulluar të gjitha fluturimet me këtë shtet”, ka thënë Zemaj.
Drejtori i IKSHPK-së, Naser Ramadani ka thënë se Kosova së shpejti do të funksionalizojë aparaturën për testimet e këtyre rasteve, duke u shprehur se rastet janë nënkontroll.
“Jemi kompletuar me aparatura për variantin e ri të cilat tash jemi në prova dhe bashkë me përfaqësuesit e laboratorit gjerman do t’i funksionalizojmë, pasi janë shumë të ndjeshme.
Varianti i ri i Covid-19, momentalisht është në kontroll. Ne jemi në kontakt të vazhdueshëm dhe s’ka asnjë vonesë në testimin e këtyre rasteve”, tha ai .
Ramadani ka thënë se do të jenë transparent sa i përket këtij varianti.



