
Primaret si praktikë e re për përzgjedhjen e kandidatëve të zgjedhjeve të pjesshme të 6 marsit, Akil Kraja, anëtar i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, i sheh si ushtrim i demokracisë direkte, që sipas tij sfidon modelin e Ramës dhe Bashës. Në studion e MCN Live, përmes Skype-it, Kraja tha se gjatë votimit të djeshëm u vu re rritje e interesit të demokratëve të thjeshtë për të zgjedhur vetë kandidatët.
Nëpërmjet kandidatëve të votuar direkt nga demokratët, qytetarët dhanë shembuj që demokracia nuk është luks. Që zgjedhjet vendore mund të bëhen nëpërmjet primareve. Duke qenë se është një ushtrim për herë të parë, nëse marrim referendumin e 18 dhjetorit, në Dibër pati 667 anëtarë, dje pati 711. Edhe Lushnja tregoi rritje, çka do të thotë se qytetarët kanë nevojë për demokraci, garë të lirë dhe jo imponim nëpërmjet praktikave autokratike.
Kraja tha se primaret ishin një test për Shqipërinë.
Grupimi i Bashës po përpiqet t’u imponojë qytetarëve kandidatët. Ky është një test për Shqipërinë, që modeli autokratik të mposhtet njëherë e mirë. Grupimi i deputetit Basha, disa prej tyre miq të mitë. Në një realitet demokratik nuk vendos kryetari, vendos anëtarësia. Ne kërkojmë që demokrati i thjeshtë të shprehet në mënyrë të lirë.



