
Ish-kreu i KQZ e njëherazi eksperti zgjedhor Kristaq Kume foli në edicionin e lajmeve në MCN TV lidhur me raportin paraprak të Misionit të OSBE/ODIHR ku ngrihet shqetësimi mbi përdorimin e administratës në zgjedhje e 14 majit. Kume tha se nuk është i çuditur nga raporti i ndërkombëtarëve, por e konsideron deklaratën si mbështetje për zgjedhësit shqiptarë që të reagojnë ndaj fenomenit. Ai tha se nuk është bërë asnjë ndryshim në nivel ligjor për parandalimin e fenomenit të keqpërdorimit të administratës. Kume theksoi se aktiviteti i nëpunësve në platformën “Aktivisti” është i ndaluar me ligj. Ai shtoi se numërimi elektronik është në fazë pilotimi në vend, dhe nuk ia vlen të shtrihet në gjithë vendin për shkak të kostove.
Duke qenë se nuk është bërë asnjë ndryshim nga ato që janë kërkuar në raportin e fundit nga OSBE/ODIHR, s’ka pse te prisnim që qëndrimi i tyre të ndryshonte. Procesi zgjedhor është i kërcënuar nga shfaqja në të në mënyrë të përsëritur e të njëjta fenomeneve si të mëparshmet, për sa kohë s’është bërë asgjë për t’i parandaluar të paktën në nivelin e ligjit. Ajo që deklaruan ndërkombëtarët në raportin paraprak, lidhur me mundësitë e keqpërdorimit të administratës zgjedhore, nuk më çudit, përkundrazi e konsideroj si një mbështetje shoqërinë për zgjedhësit shqiptarë, për të reaguar ata vet ndaj këtij fenomeni që prish standardin e procesit zgjedhor. Për t’u keqpërdorur administrate mundësitë janë gjithmonë prezente, prandaj në Kodin Zgjedhor bëhen përpjekje të vazhdueshme, për krijimin e kushteve ligjore për parandalimin e fenomeneve. Ky fenomen ka shoqëruar në mënyrë të vazhdueshme procesin zgjedhor. Kushdo parti politike që ka pasur pushtet e ka përdorur këtë pushtet. Ky problem kërkon sinergji mes faktorëve legjislativë, dhe të sjelljes, ku përfshihet jo vetëm sjellja e partive, por edhe e qytetarëve”
Duke u ndalur te patronazhistët dhe aktivistët e PS, Kume tha se ka një dallim mes tyre. Ai vuri në dukje se aktiviteti i nëpunësve në aplikacionin e PS është i ndaluar nga ligji, por nuk beson që të ketë penalitete.
Gjërat ndryshojnë shumë mes patronazhistit dhe aktivistit. Patronazhisti, midis të tjerash kishte për detyre të kontaktonte me zgjedhësin. Të realizonte informacionin për zgjedhësin, gjithçka që mund ta detyronte zgjedhësin të votonte për mazhorancën. Kjo e dyta, përdoret media sociale, ku secili vepron më vete dhe vepron si ai mendon se duhet bërë, përcjell, i bën sharë, bëhet pjesë e fushatës. Nuk është e lejueshme sepse nëpunësi civil është i depolitizuar. E ndalon ligji. Derisa ligji e ndalon t’i konsumon një vepër që mund të marrësh penalitete. Unë nuk pres që të ketë penalitete”.
Kume tha se nuk ka rënie interesi të ndërkombëtarëve mbi procesin zgjedhor në Shqipëri, pasi numri i vëzhguesve mbetet i njëjtë, por ka një rënie të mbështetjes financiare për vëzhguesit vendorë.
Deri në zgjedhjet e kaluara, një nga mbështetjet që i kanë dhënë ndërkombëtarët proceseve zgjedhore, ka qenë mbështetja e vëzhguesve vendorë. Kësaj radhe mbështetje të tilla janë shumë më pak se zgjedhjet e kaluara. Mund të përdoret edhe kjo si rënie e interesit. Por interesi i tyre kryesor, bazohet sa ata janë prezentë, dhe këtu s’ka ndryshuar asgjë. Vëzhguesit janë në numër, po aq sa kanë qenë në mënyrë të vazhdueshme në zgjedhjet lokale. Janë 300 vëzhgues, 25 vëzhgues afatgjatë. Sa të interesuar do jenë zgjedhësit shqiptarë, këtë do ta shohim ditën e zgjedhjeve. Ne vazhdojmë të mbetemi ndër popullatat, që janë të ndjeshme ndaj zhvillimeve politike. Jemi të interesuar, s’japim asnjë lloj kontributi, vetëm konsumojmë.
Sipas Kumes Celibashi po vepron sipas ligjit dhe nuk ka asnjë mundësi tjetër veprimi lidhur me përplasjen mes dy grupimeve në PD.
Duke lexuar ftohtë dhe pa emocion ligjin, Celibashi s’është duke bërë ndonjë gjë ndryshe nga ajo që i kërkon ligji. Ka shprehur edhe konsideratën e tij, mendimin e tij, për atë që po ndodh. Ai s’ka asnjë mundësi të kontribujë në zgjidhjen e këtë problem. Ai institucion ka për detyrë vetëm të organizojë, monitorojë, administrojë, procesin zgjedhor. Se cilat janë partitë, apo kandidatët e pavarur që do bëjnë pjesë në zgjedhje, ky është problem tjetër. PD e ka të detyrueshme për t’i dhënë zgjidhje njëherë e mirë problemit të vet. Të presim vendimin e Gjykatës së Apelit.
Ndërsa për votimin elektronik tha se ky proces është ende në fazë pilotimi në Shqipëri, duke shtuar se nuk ia vlen të shtrihet në gjithë vendin pasi ka kosto të lartë”.
Ky proces ka qenë i mbështetur nga të gjitha krahët politik. Pilotimi doli me sukses, por s’patëm këllqe, s’kemi fuqi financiare për ta shtyre në të gjithë vendin. Vazhdojmë të jemi në kushtet e pilotimit. Unë do thoja që s’ia vlen, janë shumë pare, është kosto shumë e lartë. Dhe zgjidhet problemi i numërimit dhe tabelimit të rezultateve që në qendrën e votimit. Kujtoj që nëqoftëse do binin dakord partitë për të hequr dorë nga administrimi politik i procesit zgjedhor të një administratë jo politike problemi do ishte shumë më i lehtë sa i takon kostove. Mirëadministrimi i kësaj faze të procesit zgjedhor tashmë ka dalë nga syri i garuesve. Por kemi probleme të tjera si financimi me pare të pista, etj”.



