Zbardhen detaje të tjera rreth ngjarjes së djeshme në lagjen “Pavarësia” të Vlorës, ku një person u plagos me armë zjarri. Policia bën të ditur se për plagosjen e Florenc Meçajt ka vënë në pranga dy të dyshuar, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim.
Olgert Shehu, 38 vjeç, banues në Vlorë; dhe Hajri Xhaferi, 53 vjeç, banues në Vlorë, janë arrestuar nga policia e qytetit bregdetar, ndërsa është shpallur në kërkim Klejvis Gjahtari, 29 vjeç, i cili ka qenë shpallur në kërkim gjithashtu për veprën penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, në vitin 2012.
Sipas policisë, vetë Meçaj ka qenë më parë i dënuar për vrasje. Sa i përket ngjarjes së djeshme, policia ka zbuluar se fillimisht tre personat e mësipërm, i kanë vjedhur me dhunë të plagosurit makinën BMV- X6, portofolin dhe bizhuteritë, më pas një orë më vonë, Klejvisi ka shkuar për të kryer plagosjen.
“Gjatë veprimeve hetimore të kryera, ka rezultuar se shtetasi Klejvis Gjahtari, në bashkëpunim me shtetasin Olgert Shehu, ditën e djeshmë para kryerjes së plagosjes, në lagjen Uji i Ftohtë dyshohet se kanë vjedhur me dhunë shtetasin F.M., duke i marrë këtij të fundit automjetin e llojit “BMV-X6″ me targë AA333MK, portofolin me një sasi parash prej 500 euro, disa bizhuteri personale që dispononte me vete si dhe aparatin celular”.
Rreth 1 orë më vonë pas konfliktit për arsyet e mësipërme, në një rrugicë të lagjes “Pavarësia”, dyshohet se shtetasi Klejvis Gjahtari, ka plagosur me armë zjarri të llojit pistoletë shtetasin F.M., i cili ndodhet në Spitalin Rajonal, në gjendje shëndetësore jasht rrezikut për jetën.
Për këtë ngjarje, policia ka referuar materialet në prokurori për veprat penale përkatëse, në ngarkim të këtyre shtetasve:
Olgert Shehu – për veprat penale “moskallëzimi i krimit” dhe “vjedhje me dhunë, kryer në bashkëpunim”.
Hajri Xhaferi – për veprën penale “moskallëzimi i krimit” (pasi dyshohet se ka patur dijeni për ngjarjen).
Klejvis Gjahtari - shpallur në kërkim për veprat penale “vrasja me dashje, mbetur në tentativë”, “mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municioneve”, “vjedhja me dhunë, e kryer në bashkëpunim”.
Policia ka bllokuar dhe sekuestruar 2 automjete të gjetura rreth 500 m larg vendit të ngjarjes:
– automjetin “Benz-Mercedes” me targë AA985NV
– automjetin “BMV-X6” me targë AA333MK
– si dhe disa gëzhoja pistolete model 54 (pranë vendin të ngjarjes) të cilat do të dërgohen për ekzaminime të mëtejshme.
