
Ushtria gjermane u pajis me mijëra uniforma të reja kamuflazhi me etiketën problematike “SS”, që të kujtojnë të kaluarën naziste. Lajmin e bëri të ditur fillimisht “Bild”. SS të kujton njësitë naziste "Schutztafel (SS)", por në fakt në uniformat e reja i referohet masës "S short".
Ministrja gjermane e Mbrojtjes, Christine Lambrecht, urdhëroi ushtarët që t’i hiqnin etiketat nga uniformat, pa prekur pjesën tjetër.
Javët e fundit, Ministria gjermane e Mbrojtjes shpërndau rreth 313 000 komplete veshjesh luftarake, përfshirë helmeta, çanta, xhaketa dhe pantallona të papërshkueshme nga uji, të gjitha me një kosto prej 2.3 miliardë euro.
Ndërsa shumica u etiketuan sipas termave të zakonshëm në gjuhën angleze për madhësitë e tyre - S, M, L dhe XL -një emërtim i ri u shtua për masat më të vogla.
“S short” me shkurtesën SS ngjalli kujtime të këqija, pasi sjell ndërmend Schutzstaffel, organizatën e madhe dhe brutale paraushtarake naziste që përhapi terrorin në territoret e Rajhut të Tretë dhe kreu pjesën më të madhe të Holokaustit.



