Teksa qeveria i drejtohet çdo ditë qytetarëve me thirrjen për kursimin e energjisë, vetë institucionet që operojnë në fushën e energjisë, nuk po tregohen aspak kursimtare, kur vjen puna tek paratë.
Në kulmin e krizës, Operatori i Sistemit të Transmetimit, ka shpallur tenderin me objekt “Shërbime dizenjimi, printimi, materiale promovimi, produkte me qira, si dhe organizime të ndryshme, për nevojat e OST sh.a”, me fond limit 10 milion lekë.
Në prag festash Operatori i Sistemit të Transmetimit ka vendosur të blej: Verë së bashku me kuti vere prej druri me printime të personalizuara për dhurata, printim në pllaka druri me imazhe të personalizuara për dhurata, shaje në material saten me imazhe të personalizuara, spila me logo OST, stilolapsa të loguar.
Pllakë bakri me qytete të ndryshme të Shqipërisë ose personalitete të shquara, gdhendje të logos me lazer me çmim 10,340 për copë.
Në dokumentat e tenderit, ajo që bie në sy janë disa artikuj, çmimet e të cilëve janë disa herë më të lartë se ato të tregut për të njëjtat porosi, por me pakicë.
OST ka porositur, jastëk në material kamosh me imazhe të personalizuara, 30 copë ku çmimi për njësi është më shumë se 4 000 lekë.
Ndërkohë e njëjta porosi në një nga dyqanet online kushton sa gjysma e shumës së vendosur nga OST në dokumentat e tenderit, 2 000 lekë.
Çadra me logo, 50 copë me çmimin 2 800 lek për copë.
Ndërkohë çmimi me pakicë për të njëjtin produkt online rezulton 2 100 lekë.
Stilograf të cilësisë së lartë me logo OST, 30 copë me çmimin 12,400 lekë për copë.
Ndërkohë për një stilograf të tillë në dyqanet ku mund ta porosisësh online, çmimi është 2 500 lekë.
Ndonëse maskat nuk po përdoren më, OST kërkon të blej dhe 100 maska anticovid me logo, me çmim 950 lekë për copë.
Operatori i Sistemit të Transmetimit përmes këtij tenderi ka kërkuar gjithashtu një sërë shërbimesh për organizim eventesh, mes tyre, sallë për eveniment të mesëm 50 - 100 veta, çadër për organizimin e eventit për rreth 40 dhe 60 persona.
Tapete me ngjyrë për veshje salle. Kolltuqe për folësit. Nëse evenimenti do të jetë në format kinemaje, folësit duhet të kenë ndenjëse ndryshe nga salla, të rehatshme, të paraqitshme, me ngjyrën që përfaqëson OST, thuhet në dokumentat e tenderit.
Gjithashtu OST kërkon 2 persona për shërbim promocioni. Në përshkrim thuhet: Në përgjithësi përdoren persona të paraqitshëm për të realizuar shpërndarjen e dhuratave apo në raste inagurimesh mbajtjen e shiritit, thuhet në dokumentat e tenderit.
Eventeve nuk do t`ju mungoj as ushqimi.
Shërbimi do të jetë katering, menu e parë, e dytë dhe e tretë.
Gjithashtu OST kërkon të realizoj dhe 4 spote televizive për të cilat i duhet të gjej dhe aktorë kryesor.
Sistemi i transmetimit të energjisë elektrike në Shqipëri drejtohet nga Operatori i Sistemit të Transmetimit, një shoqëri publike me 100% të aksioneve shtetërore, që ndonëse në kohë krize,kur bëhet fjalë për të kënaqur veten, nuk i “dridhet dora” për 10 milionë lekë.



