
Ish kryeministri Sali Berisha dhe 29 anëtarët e Komsionit të Rithemelimit të PD kanë “zbarkuar” sot në selinë e PD-së.
Anëtarët e Grupimit për Rithemelimin e PD -së me në krye Sali Berishën, janë futur në godinën e partisë dhe janë shprehur se do të mblidhen aty, në atë që ish-kryeministri e quajti “selia e demokrateve”.
Para selisë së Partisë Demokratike, ish-kryeministri Sali Berisha u shpreh se anëtarët e Komisionit të përkohshëm të PD-së kanë ardhur të vendosen në selinë e demokratëve.
Berisha i bëri apel Lulzim Bashës që të reflektojë deri më 18 Dhjetor, pas Kuvendit Kombëtar që realizoi ish-kryeministri.
"Basha është i shkarkuar nga Kuvendit, por në respekt të anëtarësisë, ato do të shprehen për deputetin Basha. Komisioni ka aspektin e vet politik dhe burokratik, do t'i kombinojnë të dyta, me zyrën e Bashës nuk kemi punë, vijmë këtu për të bërë mbledhjes dhe deputeti Basha deri në 18 duhet të reflektojë për vendimin e Kuvendit më të jashtëzakonshëm në historinë e Europës, ku triumfoi vullneti i anëtarë.
Sot futem si njëri nga anëtarët e Komisionit të Rithemelit të PD, janë të gjithë të barabartë. Firma e turpit që padit në prokurorinë e tij dhe të Ramës, nuk ka akt më të padenjë", tha Berisha.
Pas futjes në ambientet e shtëpisë së PD-së, nuk munguan as akuzat për Bashën.
Berisha e akuzoi atë për “marrjen e karrigeve”.
“Çmenduria e Bashës, ka marrë të gjitha karriget”, u shpreh ish-kryeministri i Shqipërisë.
Berisha theksoi se vendimet që do të merren pas mbledhjes do të bëhen publike edhe për mediat.
Mbështetësit e ish kryeministrit Sali Berisha kanë “shpërthyer” në brohorima “Basha ik” teksa janë futur brenda selisë së PD.



