Është goditur një rast i trafikimit të kanabisit me përqindje të lartë THC nga Tajlanda në Shqipëri. Ndërkaq, janë sekuestruar 61 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike Cannabis Sativa, e ndarë në 120 pako. Policia Kufitare ka arrestuar në Rinas 2 shtetasit kinezë që trafikuan lëndën narkotike, nga Bangkoku, me qëllim shitjen në Shqipëri.
"Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme të zhvilluara nga Policia e Tiranës, me objektiv goditjen e rasteve të trafikimit të lëndës narkotike Cannabis Sativa me përqindje të lartë THC, për shitje në Shqipëri, është goditur një tjetër rast i kësaj veprimtarie kriminale.
Bazuar në informacionet e siguruara nga Njësia e Informacionit për Pasagjerin, Policia Kufitare Rinas, në bashkëpunim me Seksionin e Narkotikëve në DVP Tiranë dhe me Drejtorinë e Hetimit Doganor, organizuan dhe finalizuan operacionin policor “Quality”.
Si rezultat i operacionit u arrestuan në flagrancë shtetasit kinezë:
-Y. G., 37 vjeç dhe Ch. J., 48 vjeç.
Këta shtetas u kapën në flagrancë në hyrje në Rinas me 2 valixhe me rreth 61 kilogramë lëndë të dyshuar narkotike Cannabis Sativa me përqindje të lartë THC, që dyshohet se e kanë trafikuar nga Bangkoku, me qëllim shitjen në Shqipëri. Sasi e kanabisit u sekuestrua me cilësinë e provës materiale".



