Bilanci i viktimave në Spanje ka arritur në 211 persona teksa rreth 1900 të tjerë rezultojnë të zhdukur pas përmbytjeve katastrofike që përfshinë pjesën jugore dhe lindore të vendit.
Teksa autoritetet nuk përjashtojnë mundësinë e rritjes së numrit të viktimave në vijim, kryeministri Pedro Sanchez njoftoi vendosjen e rreth 10 mijë trupave shtesë në rajonin e Valencias që rezulton edhe ndër më të prekurit nga përmbytjet.
Po flasim për dislokimin më të madh të bërë ndonjëherë në kohë paqeje në vendin tonë të shërbimeve emergjente dhe ushtrisë. Fatkeqësisht nisur nga përmasat e katastrofës edhe kjo është e pamjaftueshme. Ne e dimë se ndihma kërkon kohë për të arritur në vende të caktuara. Ka ende garazhe dhe shtëpi që janë të bllokuara dhe për pasojë edhe njerëz brenda tyre.
Përveç angazhimit të mijëra trupave autoritetet spanjolle po shfrytëzojnë edhe mjetet e ndryshme teknologjike si dronët për identifikimin e banesave të përmbytura. Ndërkohë në ato zona ku uji është tërhequr me qindra përfaqësues të shërbimeve emergjente dhe ushtrisë po punojnë për pastrimin e vendit.
Sipas këtyre të fundit dëmet janë aq të mëdha të ngjashme me ato të një tsunami ose uragani. Këto përmbytje përveçse kanë gjunjëzuar disa rajone po ashtu kanë nxitur edhe zemërimin e banorëve të prekur të cilët akuzojnë qeverinë lokale për mosdhënien e ndihmës së mjaftueshme. Ndërsa ligjvënës të opozitës akuzuan qeverinë qendrore për vonesën e reagimit pas paralajmërimit të shërbimit meteorologjik të Spanjës. Po ashtu të tjerë kane venë në pikëpyetje faktin se si një fatkeqësi e tillë natyrore me një numër kaq të lartë viktimash mund të ndodhë në një vend të Bashkimit Evropian i cili shquhet për sigurinë publike.



