Vendimi i Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme të BE-së kurorëzoi dje arritjet e shumta të Shqipërisë dhe njëkohësisht pritet t’i jap një shtysë dhe një dinamikë të shtuar reformave të brendshme dhe transformimit të vendit.
“Ky vendim, një arritje madhore, e fut Shqipërinë në një marrëdhënie të re me BE-në: atë të nisjes së rrugës për të arritur statusin final të anëtarit, në një të ardhme”, tha ministri në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme.
“Edhe pse një proces i gjatë, është tepër i rëndësishëm, sepse me fillimin e bisedimeve me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, tashmë është krijuar një qasje e re, sa i përket marrëdhënies së BE-së me rajonin”, u shpreh ai.
Prandaj, shtoi Cakaj, “në këto rrethana, është shumë e rëndësishme të thellohet marrëdhënia dhe të rritet ndërveprimi jo vetëm mes vendeve në rajon, por edhe në raport me Bashkimin Europian”.
“Ne sot falënderojmë vendet anëtare, jo vetëm për dritën jeshile për fillimin e bisedimeve për anëtarësim, por edhe për faktin se kanë dhënë mesazhin e qartë, se në rast të reformave të prekshme, përparimi në rrugëtimin europian është i mundur. Kjo vendimmarrje mbetet e rëndësisë historike për Shqipërinë”, u shpreh Cakaj në reagimin e tij lidhur me hapjen e negociatave.
Nga ana tjetër, nuk kanë munguar edhe reagimet nga zyrtarë të lartë dhe Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Europian në Twitter. Ata jo vetëm kanë përgëzuar Shqipërinë dhe shqiptarët për këtë arritje madhore, por edhe kanë vlerësuar punën e bërë në procesin e negocimit.



