
Apeli i Gjykatës së Posaçme ka lënë në fuqi sekuestron ndaj tre pasurive të ish-zëvendëskryeministrit, Arben Ahmetaj, për të cilat Gjykata Kushtetuese gjeti shkelje proceduriale dhe cenim të të drejtës së pronës.
Këtë të shtunë, gjyqtari Dhimiter Lara ka lënë në fuqi sekuestro për një apartament, një depozitë dhe një llogari bankare të zotëruara nga Ahmetaj, i cili është në arrati.
Në muajin prill, Gjykata Kushtetuese shfuqizoi vendimet e GJKKO-së, Apelit të GJKKO-së dhe Gjykatës së Lartë mbi këto pasuri, duke kthyer çështjen për rigjykim në shkallën e dytë.
Ahmetaj dyshohet dhe po hetohet nga SPAK për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie.
Pak para caktimit të masës së sigurisë "arrest në burg", ish-zyrtari i lartë u largua nga Shqipëria, duke i shpëtuar prangave.
NJOFTIMI I APELIT TË GJKKO:
Ankues A.A., çështja nr.36 akti, datë 30.05.2025 regjistrimi, me objekt: caktim mase sigurimi pasuror, sekuestro preventive.
Ardhur për rishqyrtim nga Gjykata Kushtetuese.
Trupi gjykues monokratik i përbërë nga gjyqtari z. Dhimitër Lara, pas shqyrtimit të çështjes sot me datë 14.06.2025, vendosi:
Miratimin e vendimit/urdhrit n.296 akti, datë 17/07/2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për pasurinë
-Apartament n.*, sip.167m2, zk *, rruga ‘*’, ap.*, *, regjistruar në pronësi të z.A.A.;
-Shuma 8.620,68 euro në llogarinë me n.*, në * Bank, në emër të personit nën hetim z.A.A.;
-Shuma 115.692,84 euro në depozitën n.*, në ** Bank, me balancë 115.692,84 euro, në emër të personit nën hetim z.A.A.



