
Një tjetër incident është shënuar sot në Komunën e Zveçanit, ku është djegur një automjet me targa RKS.
Policia e Kosovës bën me dije se mjeti i djegur është në pronësi të një qytetareje serbe të Kosovës. Sipas njoftimit, nuk ka pasur ndonjë të lënduar “përveç dëmeve materiale të shkaktuara nga vënia e zjarrit në automjet”.
Është hera e pestë që në Kosovë shënohen incidente të djegies së automjeteve. Kujtojmë që automjetet që kanë targa ilegale të lëshuara nga Serbia po regjistrohen me targa të Kosovës.
Qeveria e Kosovës synon që nga 21 prilli i vitit 2022 të mos ketë më në qarkullim automjete me targa ilegale serbe.



