Partia Demokratike thotë se sistemi shëndetësor është në kolaps. Në një deklaratë për mediat, ish-deputetja Oriola Pampuri tha se rasti i pacientit 53-vjeçar Lutfi Çekiri, që humbi jetën pa marrë shërbimin shëndetësor në spital është tregues se spitali infektiv i ka ezauruar kapacitetet.
“24 orët e fundit kanë qenë dramatike. Shtretërit janë drejt ezaurimit. Vdekja e një qytetari të pafajshëm në dyert e spitalit është prova më e madhe se shëndetësia është në kolaps të plotë. Zëri i tij i lodhur nga vuajtja ra në vesh të shurdhër”, tha Pampuri.
Pampuri tha se nuk është i mjaftueshëm një spital Covid 3, pasi sipas planifikimit, aty mund të akomodohen vetëm 24 persona, në një kohë kur situata nga pandemia po përkaqësohet.
“Edi Rama refuzon të pranojë dështimin dhe të ndjekë propozimet e PD-së”, tha ajo, ndërsa u bëri thirrje qytetarëve të kujdesen për veten në mënyrë maksimale, pasi ”vendi nuk ka qeveri, por një trupë aktorësh sharlatanë në një shfaqje teatrale”.



