Kryeministri i ri i Kosovës, Avdullah Hoti, thotë se bisedimet me Serbinë do të filoojnë shumë shpejt dhe ekipin negociator të Prishtinës do ta drejtojë ai vetë. Në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, Hoti tha se procesi do të bazohet në transparencë.
“Është e qartë në këtë drejtim sepse dialogun e udhëheq qeveria, kreu i qeverisë është kryeministri, kështu që mua në bazë të Kushtetutës më bie kjo barrë e udhëheqjes së këtij procesi. Atë që do të bëj unë është që të zbatoj një qasje jo konfrontuese me institucionet tjera, por një qasje koordinuese për t’i përfshirë të gjithë në këtë proces. Por sigurisht, barra do të bie mbi qeverinë, mbi këtë koalicion qeverisës. Por, përtej kësaj, do të zgjasim dorën edhe tek opozita, për të parë se si ata mund të përfshihen në këtë proces. Të gjitha partitë parlamentare duhet të jenë të përfshira në këtë proces, por vetëm mbi baza të mekanizmave kushtetues dhe parlamentar që i jep të drejtë të gjithëve edhe opozitës që të përfshihen në këtë proces. Kuvendi në këtë aspekt do të ketë rol kyç, përmes mekanizmave ekzistues parlamentar, komisioneve të ndryshme parlamentare, ose duke krijuar mekanizma të ri parlamentar ku prapë opozita e ka fjalën kryesore për të mbikëqyrur procesin. Ajo për të cilën unë siguroj opozitën dhe qytetarët është që procesi do të udhëhiqet vetëm mbi baza kushtetuese dhe me një transparencë të plotë gjatë këtij procesi”, është shprehur ai.
Hoti ka përsëritur qëndrimin e qeverisë së tij kundër shkëmbimit të territoreve dhe ndryshimit të kufijve.
“Mendoj se pozicioni ynë është shumë i qartë. Me këtë qeveri dhe me mua si kryeministër nuk ka marrëveshje me shkëmbim të territoreve, besoj që nuk është pozicion i sodit por i mirënjohur i LDK-së, i këtij koalicioni dhe partnerëve të këtij koalicioni qeverisës, që ne dëshirojmë të arrijmë një marrëveshje përfundimtare me Serbinë për njohje reciproke në bazë të Kushtetutës së vendit duke e ruajtur plotësisht dhe pa diskutuar fare tërësinë territoriale dhe integritetin territorial të vendit”, ka thënë ai.



