Dy persona janë arrestuar dhe një tjetër është shpallur në kërkim nga policia e Elbasanit, të dyshuar si të përfshirë në ekzekutimin e 43-vjeçarit Edmond Hyka, i njohur ndryshe si Mondi Mëhalla.
I pari që ka rënë në prangat e policisë është roja i biznesit të viktimës, person i afërt me Hykën, i cili dyshohet për moskallëzim krimi dhe për mbështetje para organizimit të vrasjes.
Gazetarja Entela Duka raportoi për “MCN Live” se i arrestuari i dytë është një njohje e vjetër e viktimës ish-ortak në biznesin e tij, me të cilin së fundmi ekzistonte një konflikt.
Sipas burimeve, dyshimet kryesore janë për ish-ortakun e Hykës, i cili dyshohet se ka qenë porositësi i ekzekutimit dhe tashmë është arrestuar.
Ende nuk janë publikuar detaje për personin e tretë të shpallur në kërkim, i cili mendohet të ketë rol kyç në zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Gjatë mbrëmjes së kaluar është shoqëruar në polici edhe një person nga Lezha, Naldo Gjini, por deri tani ndaj tij nuk është lëshuar urdhër arresti.
Hetuesit po verifikojnë lëvizjet e tij, pasi dyshohet se disa ditë më parë ka përdorur një mjet tip “Audi” ngjyrë të zezë, që u gjet i djegur ditën e djeshme në fshatin Mirakë të Elbasanit.
Mbi 20 persona janë marrë në pyetje nga grupi hetimor, kryesisht të afërm dhe persona të lidhur ngushtë me viktimën, për të ndihmuar në sqarimin e rrethanave të ngjarjes.
Në homazhet për Edmond Hykën janë vendosur masa të rrepta sigurie nga policia, për të shmangur çdo incident të mundshëm, për shkak të natyrës së konfliktit dhe tensioneve të krijuara pas vrasjes.
Hetimet vijojnë, ndërsa autoritetet presin që personi i tretë i shoqëruar të japë informacione të rëndësishme për zbardhjen e plotë të ekzekutimit.



