
Liderët e Ballkanit Perëndimor do të nënshkruajnë tri marrëveshje në samitin në Berlin, i cili fillon më 3 nëntor.
Marrëveshjet do të jenë për njohjen reciproke të letërnjoftimeve, të diplomave universitare dhe të kualifikimeve profesionale, njoftuan zyrtarë të Qeverisë gjermane.
Agjencia e lajmeve “Reuters” shkruan se lëvizjet drejt integrimit më të afërt synojnë të sjellin stabilitet më të madh në një rajon që doli nga shpërbërja e Jugosllavisë dhe luftërat etnike të viteve 1990 dhe është ende i rrënuar nga tensionet.
Po ashtu një synim tjetër i marrëveshjeve është afrimi i Serbisë, Malit të Zi, Bosnjë dhe Hercegovinës, Maqedonisë së Veriut, Kosovës dhe Shqipërisë me qëllimin e tyre të deklaruar për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian fqinj.
Kjo mes frikës për ndikimin në rritje të Rusisë dhe Kinës në rajon.
Serbia në veçanti, e cila u bombardua nga NATO-ja dy dekada më parë, ka luftuar prej kohësh për të balancuar lidhjet e ngushta historikisht me Rusinë kundër aspiratave për integrim ekonomik dhe politik me Perëndimin.
Një nga zyrtarët e qeverisë gjermane tha të martën se Serbia duhet të vendosë nëse dëshiron të anëtarësohet në Bashkimin Evropian apo të hyjë në një partneritet me Rusinë.
Kancelari gjerman Olaf Scholz do të presë të enjten në Berlin liderët e gjashtë vendeve të Ballkanit dhe BE-së si një ringjallje e të ashtuquajturit “Procesi i Berlinit” që paraardhësja e tij Angela Merkel vuri në lëvizje.
Kryeministri Edi Rama niset sot drejt Gjermanisë, pasi me ftesë të Kancelarit Gjerman Olaf Shcolz, do të mbahet në Kancelarinë Federale një takim në kuadër të procesit të Berlinit, për Ballkanin Perëndimor.
Procesi i Berlinit u nis nga Gjermania në vitin 2014 nën kancelaren e atëhershme Angela Merkel.
Ai synon të afrojë gjashtë vendet e Ballkanit dhe t’i përgatisë së bashku për anëtarësim në Bashkimin Evropian.



