Listat e hartuara nga kryedemokrati Lulzim Basha për kandidatët për deputetë të PD në zgjedhjet e 25 qershorit, kanë krijuar pakënaqësi edhe tek shkodranët. Ata nuk kanë ngurruar t’ia thonë këtë hapur kreut të PD-së, gjatë takimit që ai ka zhvilluar këtë pasdite në Shkodër.
Në Shkodër ai ka falenderuar publikisht Topallin, Irma Koplikun dhe Helidon Bushatin për kontributin që kanë dhënë në Partinë Demokratike.
“Dua të falenderoj ata që kanë kontribuar në PD, duke nisur nga zonja Jozefina Topalli, Irma Kopliku dhe Helidon Bushati”, u shpreh Basha përpara shkodranëve.
Por ndërsa Basha fliste mbështetësit e PD mbanin në duar pankarta.
Ata kanë shprehur pakënaqësinë për mospërfshirjen e Jozefina Topallit në listën e kandidatëve për deputet.
“Jozefina, krenaria jonë”, thuhet në njërën prej tyre, ndërsa një tjetër foto të Jozefinës kanë ngritur në qiell me anë të tullumbaceve, mbi vendin ku zhvillohej takimi i Bashës.



