
Më 6 gusht 1945, kubeja Genbaku ishte e vetmja strukturë që mbeti në këmbë në qendër të Hiroshimës pas shpërthimit të bombës atomike. Shtatëdhjetë e pesë vjet më vonë, të njëjtin fat patën depozitat e grurit në epiqendrën e shpërthimit masiv që tronditi portin e Bejrutit më 4 gusht 2020.
Ato mbetën në këmbë për shkak të kolonave të forta të betonit, që u rezistuan valëve të shpërthimit. Depozitat e grurit të Bejrutit ia dolën ta reduktojnë shkatërrimin e plotë të qytetit, edhe pse ishin dhjetëra metra larg nga depoja ku ndodhi shpërthimi. Sipas “National Newspaper”, specialistët ushtarakë kanë vlerësuar se depozitat ishin vendimtare në mbrojtjen e gjysmës së Bejrutit nga shkatërrimi akoma më i madh. Në veçanti, ato mbrojtën zonat me popullsi të madhe përgjatë bregdetit në pjesën perëndimore të qytetit.
Struktura 50 metra e lartë ka qenë fillimisht një ide e bankierit palestinez Yusuf Beidas, i cili vdiq para se të mund ta përfundonte punën. Më pas, Fondi Kuvajtian për Zhvillimin Ekonomik Arab e financoi projektin. Një firmë arkitekturore zvicerane projektoi depozitat e grurit dhe studioja çeke Prumstav e realizoi projektin midis 1968 dhe 1970. Sidoqoftë, përvoja e nënkontraktuesve libanezë ishte thelbësore për të realizuar këtë projekt. Në 1997 struktura iu nënshtrua restaurimit dhe u shtuan depozita të tjera, në total 104 me një kapacitet prej 124 000 tonë.
Ndërtesa u ka mbijetuar dy luftërave dhe u ka rezistuar dëmeve nga raketat. Sidoqoftë, shpërthimi i fundit mund të jetë përfundimtar për godinën. Ekspertët vendas thonë se në pamundësi për t’i kthyer funksionin, ato mund të restaurohen dhe të kthehen në monument për të përkujtuar viktimat e shpërthimit. / Corriere.it /



