Koreja e Veriut lëshoi disa raketa balistike me rreze të shkurtër veprimi në ujërat e saj lindore, kanë raportuar vendet fqinje.
Testimet janë kryer disa ditë pas përfundimit të stërvitjeve ushtarake mes Koresë Jugore dhe Shteteve të Bashkuara, të cilat verikoreanët i konsiderojnë si përgatitje për pushtim.
Testimet e raketave janë kryer teksa Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka qenë në Seul për një konferencë
Ekspertët e huaj kanë paralajmëruar për veprime të tilla të verikoreanëve, dhe ashpërsim të retorikës së luftës, para zgjedhjeve presidenciale të nëntorit në Shtetet e Bashkuara.
Kryeministri japonez Fumio Kishida i ka dënuar veprimet e shpeshta të tilla të Koresë së Veriut, duke thënë se testimet raketore kërcënojnë paqen dhe sigurinë e Japonisë, rajonit dhe shoqërisë ndërkombëtare.
Edhe ushtria e Koresë së Jugut ka thënë se i ka vërejtur testimet e raketave, dhe këto veprime i ka cilësuar si provokime të qarta që kërcënojnë paqen në Gadishullin Korean.



