
Kryeministri i dorëhequr, Ramush Haradinaj, dhe ish-zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi, sot kanë përfunduar intervistimin nga Dhomat e Specializuara në Hagë. Mediat serbe kanë ngritur pretendimin se Haradinaj është pyetur në lidhje me rastin e Shtëpisë së Verdhë. Siç raporton “Blic”, e cila thotë se u referohet disa burimeve ndërkombëtare, për të njëjtën çështje është pyetur edhe Jakup Krasniqi.
Shtëpia e Verdhë është objekti i raportit të Dick Marty-it, sipas të cilit një shtëpi e tillë në Burrel i ka shërbyer UÇK-së si sallë operimi për të zhvilluar kontrabandën e saj me organe njerëzish, kryesisht serbë dhe romë.
Akuzat janë hedhur për herë të parë në vitin 2003 nga ish-prokurorja e Hagës, Carla del Ponte, madje gjendet edhe në faqet e një libri të saj të publikuar vite më parë.
“Sipas dëshmive, pikat kryesore të kontaktit për transferimin e viktimave nga Kosova në Shqipëri ishin: Daut Haradinaj, Sami Lushtaku dhe Jakup Krasniqi. UNMIK-u flet për përfshirjen e Naim Maloku, i cili u thirr në Hagë më 10 qershor, duke qenë një nga këshilltarët e Haradinajt”, shkruan sot "Blic".
Media serbe citon D.L., sipas saj një studiues amerikan që ka kontribuuar në hetimin mbi Shtëpinë e Verdhë, i cili u "përpunua" nga shërbimi sekret shqiptar, i cili i dha udhëzime prokurorëve vendas që të mos bashkëpunonin me të në mënyrë të plotë dhe të pengonin hetimet në çfarëdo mënyre të mundshme.
Madje, Blic shkon deri aty sa e lidh dorëheqjen e ish-kreut të Shërbimit Informativ Shtetëror në Shqipëri, Visho Ajazi Lika, me presionin për të mos bashkëpunuar me shërbimet ndërkombëtare në lidhje me rastin e Shtëpisë së Verdhë dhe varreve masive në Shqipëri.
"Trafikimi i organeve dhe rrëmbimi dhe transportimi i mëparshëm i serbëve dhe shqiptarëve në Shqipëri nuk ishte e mundur pa Haradinajn dhe me eprorët e tij. Vëllai i ish-kryeministrit është gjithashtu i përfshirë. Një grup ushtarësh dhe oficerë të ushtrisë shqiptare gjithashtu njiheshin me transportin, ndalimin, torturimin dhe varrimin, sepse si një formacion ushtarak ata morën pjesë në luftimet në vijën kufitare në 1998 dhe 1999”, thotë burimi i "Blic".
Kjo nuk është hera e parë që Haradinaj pyetet për rolin e tij gjatë luftës së Kosovës. Një vit më parë, në përgjigje të pyetjes për këtë çështje kryeministri Ramush Haradinaj patienë se verdikti final në gjyqin ndaj tij ka dëshmuar që akuzat për trafikim organesh dhe droge në UÇK janë të pavërteta dhe imagjinare.
“Në gjyqet e zhvilluara ndaj meje është vërtetuar se akuzat për trafikim droge dhe organesh edhe për UÇK-në janë të pavërteta, raporti i Dick Martyt është vetëm një imagjinatë” tha Haradinaj.



