
Gjatë një fluturimi midis Majamit dhe Santiagos së Kilit, një pilot i linjës ajrore kiliane Latam vdiq si pasojë e një arresti të papritur kardiak.
Lajmi u bë i ditur nga gazeta La Nacion, e cila saktësoi se ishte vetë kompania ajrore ajo që konfirmoi vdekjen tragjike të punonjësit të tyre, i cili kishte shërbyer për 25 vjet.
Me një njoftim për mediat, Latam Airlines Group njoftoi se fluturimi LA505 në linjën Miami-Santiago u detyrua të ulej në aeroportin ndërkombëtar Tocumen, Panama, për shkak të një urgjence mjekësore të një prej tre anëtarëve të ekuipazhit komandues.
Vdekja e pilotit, identiteti dhe mosha e të cilit nuk u bë e ditur, u konfirmua pasi avioni bëri ulje emergjente në aeroportin e Panamasë.
Kompania saktësoi se të gjitha protokollet e sigurisë të nevojshme për të ruajtur jetën e pilotit u kryen gjatë fluturimit, duke shtuar se pas uljes dhe marrjes së ndihmës në tokë, për fat të keq piloti vdiq.
Njoftimi për media mbyllet me ngushëllimet për familjen e viktimës dhe me një nderim për karrierën e tij 25-vjeçare, “mirënjohës për kontributin e tij të çmuar, i cili ka spikatur gjithmonë për përkushtimin, profesionalizmin dhe angazhimin e tij”.



