
Nga hetimet e AMP, SPAK dhe autoriteteve franceze ka rezultuar se 15 të arrestuarit të akuzuar si pjesë e një grupi kriminal, mes tyre ish-shoferi i Ardi Veliut dhe familjarët e tij përdornin faqe interneti dhe Instagrami për shitjen e sendeve me vlerë pa faturë. Bëhet me dije se në kuadër të këtij operacioni është vënë nën hetim argjendari ‘Kasha” me seli në Tiranë dhe një kompani transporti me seli në Lezhë. SPAK do të kryejë edhe hetimin pasuror, ndërsa ka kontrolluar deri më tani llogaritë bankare të disa dyqaneve ku ky grup ushtronte aktivitetin kamufluar, në bar kafe dhe pastiçeri. Ky ishte hetimi i parë i SPAK me skuadër të përbashkët hetimore Shqipëri-Francë. Në një komunikim për MCN Live, gazetari Arsen Rusta tha se sipas SPAK, ish-shoferi i Ardi Veliut Sokol Idrizaj dhe bashkëshortja e tij, edhe ajo punonjëse në Policinë e Shtetit shfrytëzonin postin, njohjet dhe përdorimin e makinave të punës për të korruptuar dhe për t’iu shmangur kontrolleve. "Dy grupet kriminale kishin katër drejtues të cilët pasi vidhnin sendet me vlerë i tregtonin në Shqipëri nëpërmjet faqeve online. Kjo gjë realizohej nëpërmjet vajzave të ish-shoferit të Ardi Veliut për të cilët SPAK ka marrë dy masa sigurie. Për njërën ka vendosur masën arrest në shtëpi për shkak të moshës dhe për tjetrën "detyrim paraqitje" për shkak se është shtatzënë. Për Sokol Idrizajn dhe Elda Idrizajn është vendosur masa e sigurisë “arrest me burg”, janë të dy punonjës të policisë. Bashkëshortja e ish-shoferit të Veliut punonte në zyrën e Financës në Drejtorinë e Përgjithshme. Sipas SPAK, njohjet që ata kishin, përdorimi i makinave të policisë së shtetit I ka dhënë mundësi atyre të shmangin traun e doganës, të korruptojnë punonjësit e doganës dhe të shmangin kontrollet në Durrës dhe Morinë. Në sekuestrot që ka bërë SPAK, janë syze të markave të shtrenjta, varëse floriri, ora të shtrenjta me vlerë të konsiderueshme. Një pjesë janë të blera dhe një pjesë të vjedhura duke i futur në Shqipëri përmes shmangies së doganës". Grupi kriminal që dyshohet për kontrabandë të mallrave luksoze te vjedhura nga Franca drejt Shqipërisë e për pastrim parash. Hetimet kishin nisur prej më shumë se një viti pas informacioneve të marra nga Franca.



