U bënë 8 vjet që po punohet për një regjistër elektronik të adresave, i cili më së fundi i është besuar OSHEE. Atë që nuk e kanë bërë institucionet tashmë pritet ta bëjë kompania e enegjisë e cila për këtë punë, së fundmi me vendim të posacëm qeverie merr edhe 400 milion lekë nga Ministria e Brendshme
Më 27 nëntor 2015 ministri i brendshëm prezantoi projektin e regjistrimit të adresave dhe shtetasve. Në fjalën e ministrit që është e publikuar në faqen e ministrisë u fol për një situatë jashtë kontrollit. Në fakt nuk ishte hera e parë që flitej për këtë projekt. Modernizimi i regjistrit të adresave si pjesë e modernizimit të gjendjes civile kishte filluar që në vitin 2008. Me firmën e ministrit të asaj kohe Bujar Nishani janë të gjithë rregulloret madje janë të detajuara edhe financimet për këtë punë. Sipas dokumenteve zyrtare paratë e dhëna nga BE janë Projekti i “Modernizimit të Shërbimit të Gjendjes Civile“ (ku përfshihet edhe projekti “ Për Sistemin e Adresave”), me një shumë prej rreth 13 milion euro, mbështetje për projektin “Modernizimi i Shërbimit të Gjendjes Civile”, financuar po nga BE nëpërmjet projektit të AT–OSCE me një shumë prej 2.5 milion Euro, dhe mbështetje për projektin “Modernizimi i Shërbimit të Gjendjes Civile”, financuar nga BB nëpërmjet Projektit LAMP me një shume prej 1 mln Euro. Janë hedhur 16 milion euro, por ministri Tahiri thoshte në nëntor 2015 se nuk është bërë asgjë. Në verën që sapo lamë pas edhe vetë ministria e brendshme u anashkalua. Një tender 850 milionë lekë ju ngarkua OSHEE e cila përzgjodhi një kompani italiane për të bërë regjistrin e adresave. Ndërkohë në mbledhjen e saj të djeshme qeveria zyrtarizoi me një vendim të posacëm që nga këto para, 400 milionë i paguan Ministria e Brendshme, dhe OSHEE për shërbimet, për të cilat përfituese është Ministria e Punëve të Brendshme kryen pagesën për kompaninë private pas konfirmimit të marrjes në dorëzim të këtyre shërbimeve nga Ministrisë së Punëve të Brendshme. Në një reagim të OSHEE të një muaji më parë është thënë se edhe vetë kompania kishte nisur përditësimin e të dhënave me një project të Bankës Botërore që në 2015, por kishte bërë vetëm 96 mijë adresa përkundër 1.2 milion kleinetëve që ka.
Pyetjet që dalin pas gjithë rrëmujës së krijuar janë shumë, por ajo që mbetet për tu sqaruar është se a do të jetë në gjendje kompania private të bëjë me 6.2 milion euro një punë për të cilën janë harxhuar 15 milion euro. Apo mos po bëhet për së dyti një punë e cila në një pjesë të madhe ka përfunduar një herë, dhe gjithcka po mbulohet me termin verifikim në terren?
