
Një tregim i panjohur i Ernest Heminguejt do të shohë për herë të parë dritën e botimit. “Dhoma nga ana e kopshtit” është shkruar në vitin 1956. Historia zë fill në hotelin “Ritz” në Paris, nga ku përcillet përmes rrëfimit të personazhit kryesor, Robert, i cili ka të njëjtin pseudonim që ka mbajtur dikur vetë Heminguej: Papa. Roberti dhe ushtarët e tjerë, të cilët duhet të lënë qytetin të nesërmen, pinë, citojnë Bodlerin dhe diskutojnë për “tregtinë e pistë të luftës”.
Autori duket se ka një dobësi për hotelin “Ritz”, i cili përmendet edhe në tregime të tjera të tij. Në vitin 1944, ndërsa pushtuesit gjermanë u larguan nga Parisi, Heminguej, i cili në atë kohë punonte si korrespondent lufte, mbërriti me “Jeep” në këtë hotel dhe i tha stafit se kishte ardhur t’i çlironte. Por pasi i thanë se pushtuesit ishin larguar, ai porositi shampanjë për të gjithë.
“Kur përfytyroja jetën e përtejme në parajsë, ngjarjet imagjinare i vendosja gjithmonë në hotel “Ritz” në Paris”, do të thoshte shkrimtari disa vite pasi ka shkruar tregimin.
Së bashku me shkrime të tjera të Heminguejt, “Dhoma nga ana e kopshtit” është ruajtur në Librarinë e Kongresit dhe në bibliotekën “John F. Kennedy” në Masaçusets.
Gjashtëdhjetë vjet pasi është shkruar, tregimi do të publikohet nga edicionin veror të revistës “Strand”, e cila ka botuar më parë ekskluzivisht edhe tregime të shkrimtarëve të tjerë amerikanë.
“Subjekti përmban të gjithë elementët karakteristikë që lexuesit ia adhurojnë Heminguejt. Duke folur për Marsel Prustin, Viktor Hygonë dhe Aleksandër Dymanë, dhe duke shfaqur një fragment të gjatë në frëngjisht nga “Lulet e së keqes” së Bodlerit, autori hedh dilemën nëse trashëgimia e kulturës pariziane mund të shërohet nga nuanca e errët që la pas fashizmi”, thotë Kirk Cunutt, i shoqatës “Heminguej”.
Lufta ka qenë frymëzimi kryesor i shkrimtarit të madh amerikan. Ai ka punuar si shofer ambulance gjatë Luftës së Parë Botërore, një përvojë që ka ndikuar jo pak në “Lamtumirë armë”. Lufta civile në Spanjë e frymëzoi Heminguejn për “Për kë mbien këmbanat”. Ai ka shërbyer si ushtar dhe korrespondent njëkohësisht gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe ka raportuar nga Parisi çlirimin e kryeqytetit francez në gusht të vitit 1944, për llogari të revistës “Collier”.
Shumë shkrime të autorit të romanit “Plaku dhe deti” mbetën pa botuar pasi ai u vetëvra në vitin 1961.
Në dekadën e fundit të jetës, Heminguej shkroi shumë tregime me temë Luftën e Dytë Botërore. Në gusht 1956, ai i tha botuesit të tij se kishte gati pesë të tilla. Deri tani prej tyre janë botuar tre.
“Mendoj se janë histori tronditëse, pasi merren trupa ta parregullta, luftime dhe njerëz që vrasin. Sidoqoftë, ju mund t’i botoni ato pasi unë të kem ikur nga kjo jetë”, shprehet ai në një letër të shkruar në gusht 1956. / The Guardian /



