
Personi i arrestuar në lidhje me sulmin e djeshëm me makinë pranë parlamentit britanik është një 29-vjeçar me origjinë nga Sudani. Salih Khater, me shtetësi britanike, është arrestuar me akuzën tentativë vrasjeje.
Siç raporton BBC-ja, ai ka hyrë në Britani si refugjat dhe më pas i është dhënë azil. Vëllai i tij e përshkruan si “njeri normal”, pa ide fanatike dhe lidhje me ndonjë grup fetar.
Tre persona u plagosën pasi makina e drejtuar nga Khater përplasi një çiklist dhe disa këmbësorë mëngjesin e së martës në Londër. Mjeti tip “Ford Fiesta” u përplas me barrierat e sigurisë që rrethojnë Parlamentin britanik. Një burrë dhe një grua mbetën të plagosur.
Autori i sulmit nuk është emër i njohur për kundërterrorizmin britanik. Ai ka mbërritur në Britani në vitin 2010 dhe ka aplikuar për shtetësi dy vitet e fundit. Vëllai i tij u ka thënë mediave se ata po planifikonin një udhëtim në Sudan për t’u takuar me familjarët.
Fqinjët e përshkruajnë si njeri të qetë që frekuentonte rregullisht një internet-kafe. Khater ka studiuar inxhinieri elektrike në vendin e tij para se të zhvendosej në Britani.



