
Prokuroria e Sarandës ka sekuestruar rreth 5 mijë metër katrorë truall në Ksamil, duke çuar në arrestimin e një personi për falsifikim.
Organi i akuzës njoftoi se ditën e sotme, më datë 22.09.2022, në kuadër të veprimeve hetimore të kryera nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë, është arrestuar shtetasi Skënder Omeri, i dyshuar për veprën penale parashikuar nga neni 186/2 i K.Penal.
Sipas të dhënave të deritanishme, ka dyshime se ky shtetas ka falsifikuar dokumentet e pronësisë për përfitimin në mënyrë të padrejtë të një sipërfaqe toke prej 4950 m2, ndodhur në Kasmil, Sarandë.
Në lidhje me këtë pasuri, organi i akuzës ka kërkuar sekuestron preventive, e cila është pranuar me vendim gjyqësor nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Sarandë.
Njoftimi i policisë
Në vijim të punës për evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Sarandë kishin dërguar materialet paraprake hetimore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Sarandë, e cila ka regjistruar procedimin penal për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”.
Në zbatim të këtij procedimi, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë, në kuadër të operacionit policor të koduar “Prevent”, u bë ndalimi i shtetasit S. O., 69 vjeç, banues në Sarandë, për të cilin Gjykata e Shkallës së Parë Sarandë ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”, me pasoja të rënda.
Ky shtetas dyshohet se ka tentuar të përfitojë një sipërfaqe toke truall, në Ksamil, duke aplikuar pranë ASHK Sarandë, me dokumente të falsifikuara.
Në vijim të veprimeve, nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Sarandë u bë dhe ekzekutimi i vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë, për vendosjen e sekuestros preventive mbi truallin me sipërfaqe 4950 metër katror, në Ksamil.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.



