Reshjet e forta të shiut dhe përmbytjet që kanë goditur Republikën Domenikane dhe Haitin kanë shkaktuar të paktën 19 viktima dhe mijëra persona të zhvendosur gjatë javës së fundit, sipas të dhënave zyrtare dhe Kryqit të Kuq.
Sipas bilancit më të fundit, 7 persona kanë humbur jetën në Republikën Domenikane, ndërsa 12 të tjerë janë raportuar të vdekur në Haiti, në disa rajone të vendit.
Reshjet intensive, të shoqëruara me stuhi, nisën gjatë natës së 7 prillit dhe vijuan për më shumë se një javë.
Edhe pse intensiteti i tyre është ulur orët e fundit, autoritetet në Republikën Domenikane vijojnë të mbajnë në fuqi alarmin në 24 nga 31 provincat e vendit.
Drejtori i mbrojtjes civile, Juan Salas, deklaroi për mediat se pesë trupa janë nxjerrë së fundmi nga zonat e prekura, ndërsa dy persona të tjerë kishin humbur jetën më herët gjatë javës.
Ndërkohë, Qendra e Operacioneve të Emergjencës bëri të ditur se rreth 30,500 persona janë evakuuar dhe zhvendosur.
Rreth 6,500 banesa janë dëmtuar, ndërsa 38 komunitete kanë mbetur të izoluara për shkak të përmbytjeve.
Situata ka shkaktuar gjithashtu ndërprerje të energjisë elektrike në kryeqytetin Santo Domingo, si dhe mbyllje të shkollave dhe reduktim të orarit të punës gjatë ditëve të fundit.



