Ministria e Shëndetësisë mbyll strukturat laboratorike në QSUT, të specializuara pak javë më parë për analizat e koronavirusit. Siç raporton BIRN, vendimi është marrë pas kërkesës së koncesionarit, i cili ka fituar të drejtën që për 10 vitet e ardhshme të bëhet pronar i të gjithë laboratorëve dhe setit të analizave që do të kryejnë shqiptarët nëpër spitalet publike me një vlerë prej 95 milionë eurosh.
Me mbylljen e laboratorit të imunologjisë, personeli prej 73 punonjësish pritet të pushohet nga puna.
Kontrata koncesionare “Për ofrimin e shërbimit laboratorik të spitaleve universitare, rajonale dhe atyre bashkiake të Sarandës dhe Lushnjes” u firmos në 24 prill 2019 nga zv.kryeministri Erion Braçe, në mungesë dhe me porosi të kryeministrit Edi Rama.
Konsorciumi i tre kompanive: Labopharma sh.p.k me 41.7%, Exalab France me 25% dhe AB Laboratory Solution BV, një kompani e regjistruar në Holandë me 33% pjesë në konsorcium është fitues i koncesionit të laboratorëve. Ai u shpall në prill 2017.
Mbyllja e laboratorit vjen në një moment kur numri i të infektuarve me koronavirus është në kulmin e tij që nga nisja e pandemisë.



