Një fond prej 64 milionë lekësh është miratuar nga qeveria shqiptare dhe vënë në dispozicion për 16 familjet e pallatit në lagjen ‘Punëtori’ në Gjirokastër i cili rrezikon shembjen për shkak të erozionit masiv.
Gjatë muajit janar banorët e këtij pallati dolën të tmerruar nga banesat e tyre pasi e kishin të pamundur qëndrimin në këtë pallat i cili ka marr çarje në disa pjesë. Ky problem i shoqëron prej 3 vitesh.
Ndërsa vetëm gjatë ditës së sotme kryebashkiaku i Gjirokastrës Flamur Golemi në një takim me banorët ka dhënë lajmin se tashmë është gati projekti për ndërhyrje në këtë objekt i cili do të nis në muajin shtator.
Banorët e këtij pallati të gjendur prej vitesh përballë një problematike të tillë tepër shqetësuese që u rrezikon jetën shprehen të kënaqur me vendimin ndërsa shpresojnë që ndërhyrja ti jap fund njëherë e mirë vuajtjeve të tyre duke përfunduar përpara se stina e dimrit të trokas sërish.



