Kompania “Gjoka Konstruksion” është fituesja e koncesionit për ndërtimin e Rrugës së Arbrit. Sipas një njoftimi të Ministrisë së Infrastrukturës, shoqëria “Gjoka Konstruksion” rezultoi se ajo kishte paraqitur dokumentacionin teknik, financiar dhe ligjor në përputhje me kërkesat e dokumenteve të procedurës konkurruese dhe komisioni vendosi ta kualifikojë ofertën për fazën e vlerësimit.
Ndërkohë që dy operatorët e tjerë në garë sipas Komisionit të Vlerësimit rezultonin, njëri me mungesë dokumentacioni, dhe tjetri pa ofertë financiare.
Shpallja e fituesit i hap rrugën autoriteteve të negociojnë kontratën me kompaninë, dhe menjëherë pas nënshkrimit të saj, të nisin punimet në terren për ndërtimin e aksit që lidh Tiranën me Dibrën.
Vlera e projektit për Rrugën e Arbrit është llogaritur 33.6 miliardë lekë. Pak ditë më parë, kryeministri Rama tha se punimet për ndërtimin e Rrugës së Arbrit do të nisin shumë shpejt. Rama shtoi se në mbledhjen e përbashkët me qeverinë maqedonase do t’i propozohet kësaj të fundit që Rruga e Arbrit të kthehet në një rrugë me rëndësi rajonale.



