
Një delegacion rus ka mbërritur në Bjellorusi për bisedime me përfaqësuesit ukrainas, u tha gazetarëve zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, sipas agjencisë shtetërore ruse të lajmeve RIA-Novosti.
Peskov tha se delegacioni përfshinte përfaqësues të Ministrisë së Punëve të Jashtme, Ministrisë së Mbrojtjes dhe departamenteve të tjera, përfshirë administratën presidenciale.
“Ne do të jemi gati për të filluar këto negociata në Gomel”, tha Peskov.
Teksa Rusia thotë se delegacioni ka mbërritur në Bjellorusi për bisedime me Ukrainën, Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e ka refuzuar ofertën, duke thënë se bisedimet në Minsk mund të ishin të mundshme nëse Rusia nuk do të kishte sulmuar Ukrainën nga territori bjellorus.
Megjithatë, ai e lë të hapur derën për negociata në vende të tjera.
“Nëse nuk do të kishte pasur veprime agresive nga territori juaj, ne mund të bisedonim në Minsk, ndërsa qytetet e tjera mund të përdoren si vend për bisedime. Sigurisht që ne duam paqe, duam të takohemi, duam që lufta të përfundojë. Varshavë, Bratislavë, Budapest, Stamboll, Baku, ua kemi ofruar rusëve. Çdo qytet tjetër do të na përshtatet, por jo një vend, nga territori i të cilit lëshohen raketa ndaj nesh. Vetëm kështu negociatat mund të jenë të ndershme dhe mund t’i japin fund luftës”, deklaroi Zelensky.
Presidenti ukrainas fton të shtetet e huaja që të luftojnë kriminelët rusë të luftës.
Presidenti Zelensky bëri një thirrje në llogaritë e tij në rrjetet sociale, duke ftuar këdo që të vijë dhe të luftojë “krah për krah” me ukrainasit.



