Aleksandër Vucic, presidenti i rizgjedhur pak ditë më parë i Serbisë, ka komentuar në Bruksel në mënyrë indirekte zhvillimet e fundit të ndodhura në Kosovë, ku për shkak të një akt-akuze u anulua takimi me Thaçin në Uashington. Në një intervistë për portalin ‘Politiko’ të Brukselit, të dhënë ditën e premte, Vucic thotë se dialogu me Kosovën duhet të vazhdojë, përkundër propozim-aktakuzës nga Zyra e Prokurorit Special ndaj presidentit Hashim Thaçi për krime lufte.
Vucic, që pati një takim me zyrtarë të BE-së, tha se mirëpret që unioni të ribëjë rolin e negociatorit me Kosovën, një veprim i ndërprerë prej më shumë se një viti. Ndërkohë që ‘Politico’ shkruan se BE kërkon të rinisë negociatat Kosovë-Serbi në muajin korrik.
“Ne nuk duam të ndezim edhe më shumë konflikte politike ose fizike midis serbëve dhe shqiptarëve, dhe kjo është mënyra më e mirë për të mbrojtur sigurinë e tyre,”-u shpreh fillimisht Vucic. Më tej presidenti i serbëve tha se është i gatshëm të dialogojë me këdo që pala kosovare zgjedh si përfaqësuesin e tyre: “Dialogu duhet të vazhdojë. Përndryshe, çfarë mund të ndodhë? Cili do të ishte perspektiva e të gjithë rajonit?”
Ndërkohë i pyetur në mënyrë të drejtpërdrejtë nëse do takohej edhe me Thaçin, Vucic u përgjigj indirekt duke deklaruar se ‘kjo nuk varet prej tij, por prej lidërve të Kosovës’.



