
Presidenti francez, Emanuel Macron, është treguar i drejtpërdrejtë me homologun turk, Rexhep Taip Erdogan, gjatë një konference të përbashkët shtypi në Paris. Macron i ka thënë Erdogan-it se për momentin nuk ka shanse për progresin e Turqisë drejt hyrjes në Bashkimin Europian.
Në konfrencën e përbashkët, Macron tha se Franca ka rezerva në lidhje me të drejtat e njeriut në Turqi që pas grushtit të dështuar të shtetit atje, në vitin 2016.
Ndërsa Erdogan u përgjigj se Turqia është lodhur duke kërkuar hyrjen në BE.
Marcon tha se është koha t’i jepet fund hipokrizisë në lidhje me avancimin e Truqisë drejt anëtarësimit në BE.
“Përsa i përket marrëdhënieve me Bashkimin Europian, është e qartë se zhvillimet e fundit nuk lejojnë asnjë progress në procesin ku jemi angazhuar”, tha Macron.
Megjithatë, ai shtoi se është me rëndësi mbajtja e marrëdhënieve të ngushta me Ankaranë, ndërsa të dy palët e vunë theksin te bashkëpunimi në luftën kundër Shtetit Islamik.
Kohët e fundit, Erdogan e ka akuzuar Bashkimin Europian se po tregohet i pasinqertë me Turqinë. Madje, ai ka thënë se shumica e turqve nuk e duan më BE-në.
Gjatë konferencës me homologun francez, presidenti turk u tregua i ashpër me një gazetar, i cili e pyeti në lidhje me një shkrim të vitit 2015, në gazetën “Cumhuriyet”, sipas të cilës agjencitë turke të inteligjencës kanë dërguar armë në Siri.
“Erdogan iu përgjigj duke e akuzuar si pjesëtar të lëvizjes gyleniste, e cila është cilësuar nga qeveria turke si forca pas grushtit të shtetit në vitin 2016.
“Kur bën pyetje të tilla, ki kujdes me këtë pjesë. Dhe mos fol me fjalët e dikujt tjetër”, tha Erdogan. / BBC /



