
Ish-shefja e kabinetit në Ministrinë e Ekonomisë, Alda Klosi, është vënë në pranga mbrëmjen e sotme. Arrestimi i Klosit erdhi pas dëshmisë së Rozeta Dobit, pastruesja në shtëpinë e së cilës u gjetën më shumë se 500 mijë euro pak javë më parë.
Mësohet se Dobi është marrë në pyetje ditën e sotme në Drejtorinë e Policisë së kryeqytetit.
Pas dëshmisë së Dobit, ndaj Klosit është ngritur akuza e pastrimit të parave dhe produkteve të veprës penale.
Sipas nenit 287, kjo vepër, nëse provohet, dënohet me 5-10 vjet burg.
Ndërsa përfitimi i paligjshëm i interesave, nëse provohet, dënohet me gjobë ose burgim deri në katër vjet.
Në dhjetor të vitit të kaluar ishte denoncimi i Klosit ai që dërgoi në pranga pastruesen Rozeta Dobi dhe të birin, Havier.
Alda Klosi kallëzoi në polici humbjen e një shume prej 120 mijë eurosh, në shtëpinë e saj në Rrugën e Kosovarëve.
Klosi, e cila ka mbajtur detyrën e shefes së kabinetit gjatë kohës kur Ministrinë e Ekonomisë e drejtonte Arben Ahmetaj, deklaroi se paratë e humbura ishin mbledhur nga familjarët për kurimin e xhaxhait, i cili pak ditë më pas ndërroi jetë.
Pas kontrolleve që policia ushtroi në shtëpinë e pastrueses Rozeta Dobi, aty u gjetën edhe rreth 400 mijë euro të tjera, një shumë të cilës nuk i ka dalë ende pronari.
Rozeta dhe Havier Dobi vijojnë të mbeten në burg, pasi Apeli la në fuqi masën e sigurisë që kishte dhënë shkalla e parë.



