Djali i ish-kryeministrit Sali Berisha, Shkëlzen Berisha dhe ish-ministri i Drejtësisë, Aldo Bumçi do të thirren për herë të parë si dëshmitarë për shpërthimin e Gërdecit 15 vite më parë.
Gjykata e Posaçme miratoi listën me 71 dëshmitarë të kërkuar nga Prokuroria e Posaçme, ndërsa refuzoi kërkesën e të akuzuarit Fatmir Mediu për një listë me 90 dëshmitarë.
Në listën e miratuar, dëshmitarë do të thirren biznesmeni Mihal Delijorgji, atëherë president i shoqërisë “Albademil”, Ylli Pinari, atëherë drejtor i kompanisë MEICO dhe Dritan Minxholli, atëherë administrator i fabrikës.
Seanca e radhës gjyqësore është caktuar të mbahet më 23 tetor 2023, ku pritet dhe të dëgjohen dhe 15 dëshmitarët e parë të SPAK.
Të parët që do të thirren si dëshmitarë janë familjarët e viktimave, mes tyre Zamira Durda e cila nga shpërthimi i Gërdecit humbi djalin e saj.



