Rrugëtimi i dosjes “Berisha”, 60 ditë nga detyrim paraqitje në arrest shtëpie (VIDEO)

Rrugëtimi i dosjes “Berisha”, 60 ditë nga detyrim paraqitje në arrest shtëpie (VIDEO)

Për plot dy muaj në dyert e gjykatës së posaçme dhe SPAK, dosja “Berisha” mbetet kryefjalë e çdo procesi. Nga detyrim paraqitje SPAK tani kërkon arrestin e ish-kryeministrit i cili e cilëson procesin ndaj tij si politik dhe akuzon hetuesit si SKAPIST të varur nga Kryeministri Edi Rama.

Gjashtëdhjetë ditë ka zgjatur procesi ndaj ish-Kryeministrit dhe Presidentit Sali Berisha, duke nisur më masë sigurie në liri detyrim paraqitje e bllokim pasaporte deri në autorizimin e parlamentit që ndaj tij mund të aplikohet edhe arrestimi.

Pasditen e të shtunës më 21 tetor 2023, teksa priste bashkëshorten e tij të vinte nga Gjermania dhëndri ish kryeministrit Sali Berisha, Jamarbër Malltezi do të arrestohej në aeroportin “Nënë Tereza” në Rinas.

Publikisht në mandat arrestin e Malltezit qëndronte edhe masa ndaj vjehrrit të tij z.Berisha dhe ortakut të Malltezit, ndërtuesit z.Fatmir Bektashi.

E teksa ndaj Malltezit dhe Bektashit masa e sigurisë u ekzekutua, SPAK dhe Gjykata e Posaçme nuk mundën të ekzekutonin masën ndaj Sali Berishës.

Këto janë pamjet se si 4 oficer policie të veshur civil e shoqërojnë Malltezin deri tek një furgon në shesh parkimin e aeroportit në Rinas mbrëmjen e 21 tetorit 2023.

Ky arrestim ishte urdhëruar nga Gjykata e Posaçme e cila më 16 tetor administroi një kërkesë të SPAK për caktim masa sigurie.

Zoti Berisha e ka denoncuar vendimin dhe procesin si politik e po ashtu antikushtetues. Ai ka deklaruar se është i gatshëm të përballet me drejtësinë, por së pari duhet gjykata të anulojë shkeljen.

Ky pretendim u materializua në dyert e gjykatës së posaçme nga avokatët Sokol Mëngjezi dhe Genci Gjokutaj, çka solli shtyrjen me 24 orë të seancës më dt.24 tetor. Kur gjithçka ishte planifikuar të niste në ora 14:30 të datës 25 tetor dy avokatët kërkuan nga gjykata që kjo çështje të dërgohet në Kushtetuese.

Gjyqtarja Irena Gjoka e ka refuzuar këtë kërkesë duke vazhduar seancë, por këtë herë jo me avokatët Mëngjezi dhe Gjokutaj pasi ata ishin larguar por me avokatin e caktuar kryesisht shtetasin Artan Simoni.

Edhe Apeli i Gjykatës së Posaçme refuzoi kërkesën e Berishës dhe avokatëve të tij për heqjen e masës duke lënë në fuqi çka ishte vendosur në Shkallën e Parë, ky vendim i apelit u shpall më datë 21 nëntor.

Aktualisht kjo çështje ndodhet në Gjykatën e Lartë ku nëpërmjet mbrojtjes, z.Berisha ka bërë rekurs.

Nuk mungoi edhe një trokitje në dyert e gjykatës kushtetuese, por jo nga z.Berisha. Anikimi për konfliktin e kompetencës e depozituan deputetët e rithemelimit. Ata kërkuan që procesi ndaj Berishës dhe ekzekutimi i çdo mase të pezullohej deri sa të shprehej përfundimisht kjo gjykatë.

Grupi i deputetëve ka parashtruar se ndaj deputetit Sali Berisha janë vendosur dy masa shtrënguese personale “Detyrimi për paraqitje” dhe “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”, pa u kërkuar më parë autorizimi i Kuvendit, siç parashikohet nga neni 73, pika 2, i Kushtetutës.

Në këtë mënyrë, vendimet gjyqësore për vendosjen e këtyre masave kanë krijuar një mosmarrëveshje kompetencash midis organit të Kuvendit, nga njëra anë, dhe organeve të SPAK-ut dhe GJKKO-së, nga ana tjetër, prandaj, për këtë shkak, lind nevoja e interpretimit të nenit 73, pika 2, të Kushtetutës.

Grupi i deputetëve ka pretenduar edhe se këto masa janë marrë në kundërshtim me Kushtetutën, për rrjedhojë kanë kërkuar pezullimin e tyre.

Ata, gjithashtu, kanë parashtruar se si subjekt i pakushtëzuar nuk kanë detyrimin për të provuar para Gjykatës lidhjen mes veprimtarisë ligjore që kryejnë dhe çështjes kushtetuese të ngritur.

Por ky interpretim nuk u mundësua nga Gjykata Kushtetuese me argumentin se ankuesit nuk legjitimoheshin në një interes të tyre të drejtpërdrejtë.

Sipas Kushtetueses. ankimin kishte të drejtë ta bënte parlamenti, gjykata, ose vetë z.Berisha pasi të kish ezauruar të gjitha shkallët e gjyqësorit.

Për rrjedhojë, kërkuesi, grupi i deputetëve, nuk legjitimohet t’i drejtohet Gjykatës, pasi referuar mosmarrëveshjes së pretenduar të kompetencave, ai nuk është subjekt në konflikt, pra nuk rezulton t’i jetë marrë ndonjë kompetencë apo të jetë cenuar drejtpërdrejt në ndonjë kompetencë. Grupi i një të pestës së deputetëve, pavarësisht se është pjesë e ushtrimit të veprimtarisë legjislative të Kuvendit, nuk nënkupton që është subjekti kushtetues për të cilin bën fjalë neni 73, pika 2, i Kushtetutës, pra ai nuk mund të veprojë në emër dhe me tagrat e Kuvendit. Për këto arsye, Mbledhja e Gjyqtarëve vendosi moskalimin e çështjes për shqyrtim në seancë plenare, ndaj pretendimet e kërkuesit dhe kërkesa për pezullimin e masave të sigurimit nuk mund të shqyrtohen në themelin e tyre.

Ky vendim iu njoftua publikut pa orë përpara se parlamenti të votonte më 21 dhjetor 2023.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy