Prej disa muajsh, nëpër Tiranë të zë syri motorët me logon bojëqielli të Wolt. Një shërbim i futur rishtas, ata ia kanë dalë që të shtrihen kudo në fare pak kohë. Wolt është një platformë digjitale për shpërndarjen e ushqimit dhe produkteve të tjera. Ai operon si agregator digjital restorantesh, marketesh dhe dyqanesh ku klientët mund të porosisin nëpërmjet aplikacionit. Koncepti ka lindur për herë të parë në Finlandë, në vitin 2014 dhe që atëherë operon në mbi 30 shtete, të cilave Shqipëria iu shtua në vitin 2024.

Si funksionon

Pas porosisë së klientit, restoranti duhet të përgatisë ushqimin brenda afatit të caktuar nga Wolt. Pasi merret ushqimi nga restoranti (jo më shumë se dy porosi), korrieri niset drejt lokacionit të klientit, i cili nga ana e tij mund ta monitorojë vendndodhjen e tij në çdo kohë. Me mbërritjen në adresën e dhënë, korrieri telefonon klientin, i cili mund të paguajë cash ose me kartë. E gjithë koha nga bërja e porosisë deri te dorëzimi i saj është jo më shumë se 30 minuta. Për më tepër, klienti ka mundësinë të porosisë në dy restorante të ndryshme. Pjesë e ofertave për klientët janë edhe transporti falas apo uljet në totalin e porosisë.

Si ia doli Wolt të rrëmbente tregun

Wolt gjeti një treg i cili funksiononte në mënyrë primitive. Shërbimi i food delivery ishte monopol i “Baboon”, i cili në mungesë të konkurrencës nuk ka investuar te rritja e cilësisë së shërbimit, në mënyrë që të maksimizonte fitimin. Mungesa e inovacionit dhe numri i vogël i korrierëve në raport me kërkesën e klientëve sillte si pasojë mbingarkesën e korrierëve operues dhe vonesën në shërbim. Këto të fundit, të cilat arrinin edhe deri në dy orë, sollën pakënaqësi te klienti dhe te restorantet njëkohësisht.

Hyrja e Wolt i dha frymëmarrje tregut dhe e orientoi atë menjëherë te shërbimi cilësor dhe i shpejtë. Kjo solli zgjerimin e shpejtë të hartës ku shërben kompania me korrierët me uniforma blu dhe rritjen e vetë Wolt, i cili e ka shumëfishuar numrin e motorëve. Korrektesa në raport me klientin dhe risitë që solli e kanë bërë atë lider në tregun e delivery-t në kohë rekord.