Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, është takuar në Bruksel me drejtorin e Përgjithshëm të Zyrës Anti-Mashtrim të Bashkimit Europian. Në një njoftim të shpërndarë nga Prokuroria e Përgjithshme thuhet se Llalla ka diskutuar sot me Drejtorin e Përgjithshëm të Zyrës Europiane e Anti-Mashtrimit (OLAF), Giovanni Kessler të Komisionit Europian, lidhur me forcimin e bashkëpunimit në luftën kundër korrupsionit.
Në njoftim thuhet se prokurori i Përgjithshëm i Shqipërisë, Llalla, informoi zotin Kessler lidhur me përpjekjet e autoriteteve shqiptare në luftën kundër korrupsionit, si edhe me masat e reja legjislative për forcimin e sistemit të drejtësisë në vendin tonë.
Për Prokurorin e Përgjithshëm, lufta kundër korrupsionit është një prej prioriteteve madhore të Shqipërisë për integrimin në Bashkimin Europian.
Për këtë arsye- theksoi Prokurori i Përgjithshëm- përvoja e autoriteteve të Brukselit në këtë drejtim do të shërbejë për forcimin e mekanizmave hetimorë.
"Zyra Europiane Kundër Mashtrimit (OLAF) është organi i vetëm i BE-së i mandatuar për të zbuluar, hetuar dhe ndaluar mashtrimin me fondet e Bashkimit Europian.
Kjo zyrë ka një status të pavarur në funksionimin e saj dhe është pjesë e Komisionit Europian. Drejtori i Përgjithshëm i OLAF, Giovanni Kessler është emëruar në këtë detyrë nga Komisioni Europian në vitin 2011, për një mandat 7-vjeçar", thuhet në njoftim.
Takimi i Llallës me zyrtarin e lartë të Antimashtrimit vjen vetëm pak ditë pasi prokurori i Përgjithshëm pati një përplasje në distancë me ambasadorin amerikan, Donald Lu.



