
Burimet natyrore që natyra i ka vënë në dispozicion njeriut për vitin 2018 (fruta, perime, mish, peshk, ujë, dru, pambuk etj.) përfundojnë nesër, më 1 gusht. E njohur si Earth Overshoot Day (Dita e Mbingarkimit të Tokës), kjo ditë shënon kohën kur njeriu nis të shfrytëzojë planetin mbi kapacitetet që ai ka, duke rënduar kështu “borxhin” me natyrën, çka pasqyrohet qartësisht në ndryshimet klimatike.
Që prej ditës së nesërme e deri në fund të vitit, njerëzit do të konsumojnë më shumë sesa sistemi natyror mund të rigjenerojë dhe do të lëshojnë më shumë dioksid karboni sesa janë në gjendje të përthithin pyjet dhe oqeanet.
Dita e Mbingarkimit të Tokës vitet e fundit ka ardhur gjithnjë e më shpejt, për shkak të shtimit të konsumit në rang global. Global Footprint Network, një organizatë kërkimore ndërkombëtare, ka përllogaritur se për të përmbushur kërkesën e banorëve të Tokës për burime natyrore, atyre do t’u duheshin pothuajse dy planete (1.7 Toka).
Në terma afatgjatë, njeriu ka nisur të hyjë në borxh me planetin ku jeton që prej viteve ’70. Por në vende të ndryshme, burimet e diponueshme natyrore shfrytëzohen në shkallë të ndryshme dhe shpesh vihet re tendenca e vendeve për të përfituar nga pasuritë e të tjerëve.
Nëse e gjithë popullata e botës do të jetonte siç jetojnë amerikanët, do të duheshin 5 planete si Toka për t’u përmbushur atyre nevojat. Nëse njerëzimi do të kishte stilin e jetesës së australianëve, do t’i duheshin 4.1 planete si Toka; 3.5 nëse do të jetonin si koreanojugorët, 3.3 si rusët, 3 si gjermanët etj.
Rreth 86% e banorëve të Tokës jetojnë në një vend që është në borxh ekologjik. Por ka edhe vende që nuk e shpërdorojnë atë që u jep natyra. P.sh. nëse do të jetonim siç jetojnë indianët, burimet natyrore që ofron Toka çdo vit do të ishin mëse të mjaftueshme.
Prishja e ekuilibrave ekologjikë është gjithmonë e më e dukshme dhe reflektohet fillimisht në shpyllëzimin e sipërfaqeve të tëra, në thatësirë, në pakësimin e sasisë së ujërave të ëmbla, në erozionin e tokës, në humbjen e biodiversitetit dhe në akumulimin e anhidridit karbonik në atmosferë, një element që qëndron në bazë të ndryshimeve klimatike.
Ajo që e bën të vështirë parashikimin e të ardhmes është fakti se nëse nga njëra anë nuk ka një kufi për rritjen ekonomike, atë të prodhimit apo konsumit dhe rritjen e popullatës botërore, nga ana tjetër planeti mbetet i njëjti dhe resurset e tij natyrore kanë një limit.
Zgjidhja e vetme do të ishte vendosja e kufizimeve dhe shtyrja sa më shumë e Ditës së Mbingarkimit të Tokës, duke e çuar në rastin më optimal në 31 dhjetor.
Sipas Global Footprint, fushat ku mund të ndërhyhet janë katër: qytetet, energjia, ushqimi dhe popullata. Nëse do të përgjysmonim kohën që kalojmë duke drejtuar makinën dhe të zgjidhnim në vend të saj transportin publik, do të fitonim 12 ditë.
Dekarbonizimi i ekonomisë do të ishte një tjetër strategji efektive. Përgjysmimi i sasisë së dikosidit të karbonit të lëshuar në atmosferë nga sektori energjetik do të na jepte plot 93 ditë, ndërsa përgjysmimi i sasisë së ushqimeve të shpërdoruara do të shtonte 38 ditë të tjera.
Pika e katërt do të ishte kontrolli i rritjes demografike. Në kushtet në të cilat ndodhet planeti, lind nevoja e ngadalësimit të rritjes së popullsisë botërore, e cila nga viti 1970 është dyfishuar. / Përgatiti: Gazmira Sokoli /



