
Sot është afati final që Bashkia e Tiranës i ka lënë FRD-së për të liruar zyrat. FRD ka qenë sot në Gjykatën Administrative, e cila e ka shtyrë seancën me pesë ditë duke kërkuar që brenda këtij afati të mos ketë veprime nga palët.
Duke folur për mediat, kryetari i FRD-së është shprehur për mediat zyrat u takojnë me ligj dhe se do të ndiqen të gjitha rrugët ligjore për çështjen. Po ashtu, Shehu u shpreh se partia që ai drejton do të vijojë fushatën në selinë e saj, ndërsa shtoi se kontrata e qëndrimit është pa afat.
“Ne kishim depozituar një kërkesë në Gjykatën administrative për të ndaluar aktet e paligjshme të bashkisë dhe u vendos që të bashkohet me shqyrtimin e çështjes në themel, procedurë rutinë, ne e respektojmë, kjo kërkesë e jona e bashkuar me masën e sigurisë, do të shqyrtohet pas 5 ditëve.
Ne jemi në rrugën e ligjit, jemi në selinë tonë të cilën na e garanton ligji. Ne kemi shkresën e paligjshme të lëshuar më 2 mars. Ne do të vazhdojmë fushatën. Ligji na garanton të drejtën e selisë”, tha Shehu.





