
Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka hapur tender me vlerë 150 milionë dollarë, për rindërtimin e pallateve të dëmtuara nga tërmeti tragjik i 26 nëntorit.
Projekti do të shtrihet në të gjitha qytetet ku ka pasur dëme nga tërmeti tragjik.
Këtu përfshihet Durrësi, Kavaja, Kamza, Kruja, Mirdita, Lezha, Shijaku, Kurbini dhe Vora. Përjashtim bën Tirana ku tenderin për rindërtimin e pallateve do ta organizojë bashkia e kryeqytetit.
Ndonëse vlera totale është 150 milionë dollarë, nga buxheti i këtij viti janë vënë në dispozicion afro 30 milionë dollarë.
Ofertat do të hapen në 14 gusht dhe një kompani mund të kërkojë të marrë pjesë në garë për lote të veçanta ose në të gjithë projektin. Pallatet që do të rindërtohen janë përcaktuar sipas planeve të detyruara vendore në zonat e shpallura për zhvillim ose mund rindërtohen në sheshin ku ka ekzistuar më parë.



