„Burri i shtëpisë”, një film shqiptar, ka korrur sukses në festivalin e filmit në Sarajevë. Regjisori Andamion Murataj rrëfeu më shumë për këtë sukses në studion e MCN Informacion.
Kishim fatin që aty ishin disa nga kompanitë për të cilat ne ishim të interesuar prej vitesh. Është interesante pritja që i bëri publiku festivalit të Sarajevës. Pati pritje të jashtëzakonshme, edhe mediat ndërkombëtare europiane shkruan përtej pritshmërive tona për filmin.
Janë disa tema arketipe të kulturës shqiptare. Janë klasike tradicionaliste të marra shpesh nga letërsia apo kinematografia, ndaj nuk kam qenë i interesuar. Në Shqipëri është e vështirë të jetosh si burrë dhe akoma më e vështirë të jesh grua dhe ta kesh bërë këtë zgjedhje. Ky film komunikon me çdo grua që do të jetojë si e barabartë dhe ka në dorë fatin e saj. Ndoshta burrneshat janë fenomen shqiptar, por këto lloj grash relatohen me gra në të gjithë botën.
Ka qenë vërejtje e mediave ndërkombëtare fakti që kemi një aktore që nuk jeton jetën e një burri. Unë vendosa që në film të mos kisha vetëm një burrneshë, por edhe një tjetër diku me tutje. Qëllimisht njëra luhet nga Diana Rakipi, një burrneshë që na ka ndihmuar që në fillim. Ajo u përfshi jo pa qëllim.
Ngjarja ndodh në ditët e sotme. Por ndërsa koha ndryshon, ndryshon edhe mënyra e jetesës së burrneshës. Ajo ka shqetësime, nuk ka tradicionalizmin e zakonshëm. Është një grua që do të gjejë vendin e vet. Ka zgjedhur të jetojë si burrë, por sa të vështirë e ka të ringjallë ndjenjat e mëmësisë që i ka shtypur prej kohësh. Frani është figura lider në jetën e Zanës dhe e detyron atë të gjejë mëmësinë brenda vetes.



