Pedro Sanchez ka dështuar sërish, duke mos siguruar dot besimin e Parlamentit për qeverinë e re. Pasi Sanchez nuk ka arritur të marrë numrin e nevojshëm të votave (124 pro, 155 kundër dhe 67 abstenim), Spanja rrezikon t’u kthehet sërish kutive të votimit. Kryeministri në detyrë i Spanjës është mbështetur me votë vetëm nga partia e vet, PSOE, ndërkohë kundër kanë votuar Partia Popullore, Ciudadanos, Vox dhe partia e Katalonjës. Ndërsa kanë zgjedhur të abstenojnë deputetët e Podemos, nacionalistët baskë dhe parti të tjera të vogla.
Tratativat pa finalizim
Duket se ka qenë decizive mungesa e një marrëveshjeje me Podemos, e cila ka refuzuar zv.kryeministrin dhe tre ministri. Tashmë, Sanchez-it i mbeten dy muaj kohë për të formuar një qeveri, në të kundërt do të shpërndahen të dy dhomat e Parlamentit dhe do të shpallen zgjedhjet e parakohshme. Kjo është hera e katërt në më pak se katër vjet që përsëritet pamundësia për një marrëveshje koalicioni. Negociatat kësaj radhe dështuan mes socialistëve fitues të zgjedhjeve të fundit parlamentare dhe Podemos, të cilët Sanchez i kishte cilësuar si partnerët kryesorë për të formuar një qeveri koalicioni të majtë. Por tratativat kanë dështuar dhe shkaku kryesor për këtë është Ministria e Punës, të cilën Podemos e ka pretenduar, por nuk i është dhënë nga PSOE.
Prej sot, politika spanjolle ka fiks dy muaj kohë për të formuar një koalicion qeveritar tjetër. Formalisht, kandidatura e Pedro Sanchez nuk është më në lojë. Megjithatë, mbreti do të thërrasë partitë në konsultim për të gjetur një kandidaturë për kryeministër dhe nuk përjashtohet mundësia që Sanchez të rizgjidhet. Nëse nuk arrihet një koalicion, Kongresi dhe Senati shkrihen automatikisht dhe Spanja shkon në zgjedhje të parakohshme më 10 nëntor.



