
Presidenti Ilir Meta ka shprehur shqetësimin për rritjen e punësimeve para zgjedhjeve në administratë shtetërore. Meta thotë se rritja ka kapur kulmin duke shënuar një rekord që në 2015, ndërsa thotë se të gjitha janë punësime elektorale fiktime të përkohshme në këmbim të votave.
Ai shprehet i bindur se më 25 prill shqiptarët do të marrin pjesë në referendumin historik për të ndëshkuar degradimin e administratës dhe për të realizuar çkapjen e shtetit.
“Shqipëria zbrazet, bizneset mbyllen, por administrata fryhet. Sipas të dhënave nga burimet administrative mbi punësimin ( listë-pagesat nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve) në tremujorin e fundit të vitit 2020 numri i të punësuarve në administratën shtetërore arriti në 182.5 mijë persona, duke u shtuar me rreth 10 mijë vende, në raport me tremujorin e mëparshëm.
Rritja ka arritur kulmin duke shënuar rekord, që nga viti 2005, e krahasuar me mesataren vjetore. Të dhënat nga terreni flasin hapur për krijimin e pozicioneve të reja fiktive të punës në kundërshtim me ligjin, vetëm për qëllime elektorale, në këmbim të votave më 25 prill”, u shpreh Meta.
Më tej ai shprehet se barra e këtyre shpenzimeve të papërgjegjshme bie mbi të gjithë qytetarët e Shqipërisë, të cilët me taksat e tyre detyrohen të paguajnë fryrjen artificiale të administratës.
“Punësimet e përkohshme fiktive elektorale kanë për qëllim trajtimin preferencial të simpatizantëve dhe anëtarëve të forumeve politike të mazhorancës aktuale, me qëllim angazhimin e administratës dhe burimeve shtetërore në funksion të zgjedhjeve.
Më 25 prill jam i bindur se të gjithë qytetarët shqiptarë do të marrin pjesë masivisht në referendumin historik për të ndëshkuar njëherë e përgjithmonë degradimin e administratës, shpërdorimin e taksave dhe buxhetit, si dhe për të realizuar çkapjen e shtetit”, përfundon Meta.



