Gjyqtari i Gjykatës së Apelit në Shkodër, Selim Kryeziu është shkarkuar nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit. Vendimi i KPK është dhënë sot, siaps së cilës thuhet se Kryeziu ka rezultuar me problem në justifikimin e pasurisë.
Mësohet se ka qenë pasuria ajo që ka ‘djegur’ Kryeziun, i cili nga hetimet rezultoi me burime të pamjaftueshme financiare për të justifikuar shtimin e pasurisë në vitin 2005 dhe 2015; përkatësisht në vlerat e 204 mijë dhe 1.4 milionë lekëve.
Kryeziut i janë gjetur probleme me pasurinë pasi persona të lidhur me të nuk kanë mundur të justifikojnë një shumë prej 20 mijë eurosh që gjyqtari më pas ua kishte marrë borxh. Analiza fianciare për disa vite e nxirrte gjyqtarin me bilanc negativ prej rreth 5.6 milion lekësh. Ai kishte dhe një sërë mosdeklarimesh në vite dhe disa deklarime të pasakta përfshi deklarimin e një çmimi më të shtrejtë për një apartament të marrë nga Enti Kombëtar i Banesave në vitin 2000.
Ndërkohë, përsa i përket raportit të DSIK, gjyqtari Selim Kryeziu akuzohej për tre raste mitmarrje dhe për përfshirje aktive në korrupsion, ndërsa vlerësonte se ai nuk ishte i përshtatshëm për të vijuar detyrën.
Kryeziu e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1998 si gjyqtar në Gjykatën e Librazhdit. Ndërkohë, në vitin 2006, ai është emëruar inspektor pranë Këshillit të Lartë të Drejtësisë, ndërsa në vitin 2012 kaloi si gjyqtar në Gjykatën e Apelit të Shkodrës.



