Rritja e rasteve të abuzimeve seksuale online ndaj fëmijëve ka detyruar Bashkimin Evropian të hartojë një plan masash për ta luftuar këtë fenomen.
Plani përfshin kontrollin e platformave si WhatsApp dhe Signal, duke skanuar mesazhet apo materialet që shkëmbehen në rrjet. Projektligji në fjalë pritet të miratohet gjatë takimit të ministrave të BE-së që do të mbahet në 10 tetor.
Drafti parashikon që aplikacionet si WhatsApp, iMessage ose Signal të skanojnë automatikisht mesazhet e dërguara për materialet e mundshme të abuzimit seksual të fëmijëve apo materialet e dyshimta.
Mbështetësit e këtij ligji argumentojnë se miratimi i tij nevojitet në mënyrë urgjente për të ulur numrin e abuzimit seksual të fëmijëve në rrjet dhe për ti mbrojtur ata, por ka edhe nga ata që janë kundër pasi sipas tyre, këto masa, të cilat ata i kanë quajtur "kontroll i bisedës", janë joefektive, të prirura për gabime dhe mund të shkelin të drejtën themelore të qytetarëve të BE-së për privatësi.
Sipas André Haug, nënkryetar i Avokatit Federal të Gjermanisë, ligji në fjalë do të përbënte një shkelje të konsiderueshme ndaj të drejtave themelore, që është e padiskutueshme midis profesionistëve ligjorë.
Por ekspertët thonë se e vetmja metodë e realizueshme është ajo që njihet si "skanimi nga ana e klientit", një proces në të cilin mesazhet kontrollohen mbi një baze të dhënash anonime.
Mbetet e paqartë nëse ministrat e brendshëm të BE-së që mbështesin draftin do të sigurojnë shumicën e nevojshme për ta miratuar atë në mbledhjen e 10 tetorit.
Projekti ka qenë i diskutueshëm që kur u prezantua për herë të parë në vitin 2022. Dy drafte të mëparshme u bllokuan nga kundërshtarët për shkak të shqetësimeve për privatësinë.



