
Eksperti i ekonomisë Pano Soko, për shifrën rekord prej 634 milionë euro për gjashtë muaj të investimeve të huaja raportuar nga Banka e Shqipërisë, ose 35% më shumë se një vit më parë, e vlerëson me faktin se tek investimet e huaja llogaritë nuk bëhen sasiore.
Duke folur në emisionin MCN Economy, Soko tha se investimet e huaja duhen shpërndarë pjesa që vjen nga fitimi i mbartur dhe pjesa e investimit direkt të huaj.
Në këtë drejtim sqaroi se fitimet e pashpërndara të kompanive që presupozohet se duhet të shpërndaheshin si divident nuk janë shpërndarë dhe janë transferuar për vitin tjetër dhe për rrjedhojë hyjnë në kapitalin e kompanive dhe rrisin në një mënyrë fiktive shifrën e investimeve direkte.
Soko deklaroi se pjesa ku duhet ndalur është vlera e aseteve që prodhohen nga investimet e huaja.
Analiza bëhet cilësore, zakonisht investimet e huaja nuk kanë sjellë investime të reja në kompani të reja, por janë investime të kompanive ekzistuese.
Blen tuba Bankersi, i fusim si investime të huaja, por në thelb këto janë riparime që iu bëhen investimeve ekzistuese.
Të gjitha këto vijnë kohë pas kohe, nuk ke investim të ri, por mirëmbajtje të investimeve të huaja ose zgjerim, por jo investime të reja.
Do të doja të matej sa kompani të reja kanë ardhur në Shqipëri, që kanë qenë zero deri vitin që shkoi dhe sa janë sivjet. Nëse Bankersi ka plan zgjerimi për një vit të caktuar, nuk duhet shitur si investim të ri.
Nuk kemi projekte të reja, por thjesht zgjerohet aktiviteti i vetë, është çështje e plan biznesit të vetë. Zgjerimi i investimeve të huaja janë të elementit numerik, a janë shtuar apo pakësuar investimet huaja.
Tek investimet e huaja janë industri që janë impaktuar nga kriza në Ukrainë, nafta dhe energjia. Janë prekur nga inflacioni i shkaktuar nga lufta në Ukrainë, nuk shohim vlerën, por sasinë e produktit a kanë qenë njësi më shumë apo më pak.
Teksa Holanda renditet në vend të parë për investime në Shqipëri me 237.4 milionë euro investime në 2022, Soko deklaroi se në Holandë ka një strukturë ligjore të përshtatshme për të krijuar kompani guaska.
Edhe inceneratorët që kemi ne sot janë investime holandeze por nuk do të thotë se janë të interesuar holandezët të vijnë të investojnë në Shqipëri.
Loja e shifrave dhje fjalëve që bëjmë ne është kot. Ne duhet të matim sa është numri i investimeve të huaja që vijnë tek ne.
Për të pasur investime të huaja të sigurtë duhet një gjyqësor i fortë, që të garantojë se kush ka të drejtë dhe kush jo. Holanda është i vetmi vend i njohur për ruajtjen e të dhënave sekrete të Offshore.



