Fizioterapistja Rina Grëmbi jep këshilla për përzgjedhjen e këpucëve të duhura për foshnjat si dhe pozicionin më të mirë për gjumë.
Në emisionin “Zgjohu me MCN” ajo shpjegoi se gjatë vitit të parë të jetës, është mirë që bebet të mos veshin këpucë në mënyrë që të kenë zhvillimin e duhur të këmbës.
Sa i takon pozicionit më të mirë për gjumë, Grëmbi tha se është mirë me kurriz, në mënyrë që të mos rrezikohet ajo që njihet si sindroma e vdekjes së papritur.
Nuk mund të them që kur është ftohtë bebi të dalë pa këpucë. Por gjatë vitit të parë të jetës dhe sidomos kur bebi nuk është ngritur ende në këmbë, këpuca nuk e suporton zhvillimin e këmbës së fëmijës. Nuk e ndihmon as për balancën dhe as për zhvillimin.
Shtëpinë këshillohet ta keni shtruar me tapete, kur bebi nis të hedhë hapat e parë. Një këpucë e keqe përkeqëson ecjen e fëmijës dhe ndikon që të hidhen më me vonesë hapat e parë. Pupat, këpucët që nuk kanë shumë bazament, që ua veshim shpesh sidomos kur bebi hedh hapat e para.
Kur i veshim pupa për ta mbajtur ngrohtë në shtëpi, ato nuk kanë bazament dhe këmba e bebit futet brenda dhe lindin problematika të ndryshme. Përveç materialit, duhet të shikoni një sërë gjërash. Asnjëherë mos u nisni nga pamja.
Kur doni të blini këpucë për bebin që nuk ka mbushur ende 1 vjeç, duhet që pjesa e përparme ku ndodhen gishtat e këmbës duhet të jetë e gjerë që këmbët të mos ngushtohen. Pjesa e shuallit nuk duhet të jetë komplet e sheshtë.
Bebi e ka këmbën e sheshtë dhe ka nevojë që të ketë një hark të vogël që të bëhet harku i këmbës. Thembra duhet të jetë e mbështetur, e fortë, që kur bebi të veshë këpucët dhe të ecë, ta ketë thembrën e mbështetur dhe mos të ketë anime, as nga brenda dhe as nga jashtë.
Shapkat me plastikë të fortë nuk janë shumë të këshillueshme. Nuk duhen blerë asnjëherë sandale me pjesën zbuluar, edhe nëse bebi ka nisur të ecë, pasi ka nevojë për mbështetjen që jep thembra.
Për pozicionin e gjumit është vënë re se kur bebi vihet të flerë me kurriz, zvogëlohet rreziku i vdekjes së papritur foshnjore. Pasi kur bebi lihet të shtrihet përmbys dhe do të lëvizë kokën majtas apo djathtas, nuk i ka forcuar muskujt ende dhe nuk e zhvendos dot kokën.
Qëndrimi barkas duhet të bëhet por mbështetur në kraharorin tonë. Bebit nuk i duhet jastëk, përveç nëse e këshillon fizioterapistja.



