
Një raport i Freedom House nuk sheh përparim të demokracisë në Shqipëri gjatë vitit 2017. “Çdo hap pasu u zhvlerësua nga një hap pas”, thuhet në raport.
Në raportin e cituar nga “Zëri i Amerikës”, thuhet se përparimi në rënien e kultivimit të kanabisit, u zbeh nga dyshimet se ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ishte i lidhur me një rrjet shqiptaro-italian të trafikut të drogës.
Po ashtu, arritjet në luftën kundër korrupsionit u zbehën nga zgjedhja si president e Ilir Metës, “i cili shihet nga shumë qytetarë si simbol i korrupsionit” . Gjithashtu, në këtë pikë përmendet edhe “zgjedhja me një shumicë të thjeshtë në Parlamentin e Shqipërisë e Prokurores së Përkohshme më 18 dhjetor, gjë që minoi seriozisht besueshmërinë dhe pavarësinë e institucionit”.
Presidenca reagoi pas publikimit në media të pjesëve të këtij raporti. Në një njoftim për shtyp, Presidenca thotë se raporti deformon të vërtetat, me qëllim që të krijojë fokuse artificiale.
Sa i takon korrupsionit, Presidenca shton se ai qëndron te porositësit e një raporti të tillë.
“Keqardhje për keqpërdorimin e këtij raporti të Freedom House në funksion të axhendave të njëanshme politike në vendin tonë. Zgjedhja e Presidentit Meta është realizuar në një proces tërësisht kushtetues dhe demokratik me një shumicë mbi 3/5-at të votave dhe në një moment kyç për stabilitetin e vendit dhe zgjidhjen e krizës politike parazgjedhore. Në mënyrë të sforcuar dhe të njëanshme ky raport, jo vetëm deformon këto të vërteta, por në mënyrë spekulative dhe të qëllimshme kërkon të krijojë fokuse artificiale.
Nëse Freedom House është i interesuar vërtet të hedhë dritë mbi korrupsionin në Shqipëri, duhet të hetojë në mënyrë të paanshme kush ka ndikuar dhe porositur këto deformime të fakteve dhe të të vërtetave në këtë raport dhe jemi të bindur se aty do të zbulojë simbolet konkrete të korrupsionit kombëtar dhe ndërkombëtar. Për këtë qëllim jemi të hapur të bashkëpunojmë edhe me Freedom House”, thuhet në reagim.



